Shumë zona në kryeqytet pa energji elektrike...
Një pjesë e madhe e kryeqytetit ka mbetur pa energji elektrike prej orës 20.30. Banorët nga disa zona të Tiranës raportojnë mungesë totale të energjisë.
Ndër zonat më të prekura janë ato në Njësinë 1 dhe 2, përfshirë lagje si Ali Dem, Shkozë, Tregu Elektrik, Sauk, Farkë, zona e stadiumit "Air Albania", etj,.
Nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) konfirmohet se shkaku i ndërprerjes lidhet me një problem në linjat e tensionit të lartë 110 kV, të administruara nga OST.
"Është shfaqur avari në linjën 110kV të OST që furnizon me energji disa nënstacione, kryesisht zona rreth Ali Demit, Fresku, ish-Uzina Autotraktorëve, Brryli, etj. Po bashkëveprojmë me stafet e OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit), për zgjidhje të problemit. Ndërkohë OSSH është duke furnizuar nga linja të dyta institucionet e rëndësishme dhe zona të caktuara, përmes skemës unazë", thuhet në njoftimin e OSHEE.
Sipas burimeve zyrtare, po punohet për të gjetur zgjidhje alternative me qëllim furnizimin gradual të nënstacioneve përmes linjave të tjera, në mënyrë që të rikthehet energjia sa më shpejt për qytetarët. Aktualisht po funizohen Materniteti i Ri, Sanatoriumi, QSUT dhe qendrat e tjera shëndetësore.
Për pasojë edhe ndeshja mes Dinamos dhe Vllaznisë, e vlefshme për Superligën shqiptare dhe e zhvilluar në stadiumin kombëtar “Air Albania”, është ndërprerë pas pjesës së parë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Lini një Përgjigje