
Kjo duhet të ishte sera më të cilën çifti i fermerëve nga Samatica e Beratit do të krenohej. Por në vend të prodhimit, kësaj here ata do të marrin baltën që solli Lumi Semanit.
“Kjo domate nuk bëhet më, ka mbaruar si domate”, u shpreh një fermer.
Por kjo nuk është përmbytja e parë, pasi brenda dy muajve e njëjta serë është pushtuar nga uji 3 herë dhe sipas tyre, fajin për këtë nuk e ka gjithnjë moti.
“Ne nuk po na vjen nga zoti, por nga njeriu e them këtë gjë sepse ata lëshuan digat. Kjo nuk bëhet më, ka pirë ujë gjithë natën”, u shpreh fermeri Sokol Çela.
“Vij çdo ditë këtu dhe shkoj me lot në sy për në shtëpi”, tha fermerja Klodiana Çela.
Sokoli ka mbi 3 dekada që merret me punët e bujqësisë, ndërsa thotë se pas shumë vitesh mori mundimin që të zgjeronte sipërfaqen e mbjellë duke marrë 35 mijë euro kredi. Por sera e re në këtë sezon duket se nuk do t’i japë asnjë kg me domate.
“Kam 4 dynym sera dhe i kam marrë lekët në kredi dhe këstin e parë e kam 1 milionë e 450 mijë”, u shpreh fermeri për “TCH”.
“Tre herë doli lumi unë 3 herë këtu në serë, nga të shkoj unë tani, iu drejtova vetëm tokës time për të punuar. Ç’të bëj tani. Vjen datë 10 mars mua banka më do lekët. Po më dha shteti do t’i laj, po s’më dha…diçka do bëj”, tha Klodiana.
Të dy njëzëri, Sokoli dhe Klodiana kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të dëmshpërblehen me shpresën se kjo fatkeqësi do t’i përkasë të kaluarës dhe sezoni pranveror do të sjellë fitimin e munguar.
Lini një Përgjigje