Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me rastin e dy turistëve gjermanë, me të cilët ishte humbur kontakti gjatë eksplorimit të zonës malore të Polisit.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas marrjes së informacionit për humbjen e kontaktit GPS me dy turistët, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan një operacion kërkim-shpëtimi për lokalizimin e tyre.
Në operacion u angazhuan forcat e Policisë së Shtetit, të cilat përdorën edhe dronë për kontrollin e territorit, si dhe punonjës të shërbimit pyjor dhe struktura të pushtetit vendor që asistuan në kërkimet në terren.
Pas rreth 15 orësh kërkime intensive, turistët u gjetën në fshatin Gaferr, në Njësinë Administrative Stravaj të Bashkisë Prrenjas.
Sipas Policisë, të dy turistët ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishin pësuar dëmtime.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ata kishin humbur orientimin gjatë lëvizjes në zonën malore dhe nuk kishin mundur të kërkonin ndihmë për shkak të mungesës së mbulimit me sinjal telefonik.
Pas lokalizimit, turistët kanë falënderuar efektivët e Policisë dhe të gjitha strukturat e përfshira në operacion për profesionalizmin dhe gatishmërinë e treguar gjatë kërkimeve.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan bëri të ditur se mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin të eksplorojnë zonat malore dhe destinacionet turistike të qarkut.
Lini një Përgjigje