Protestuesit e mbledhur këtë mbrëmje para Kryeministrisë kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me sloganet “Nesër më shumë”, “Revolucion” dhe “Edi Rama jep dorëheqjen”, pjesëmarrësit kanë vijuar protestën edhe pas përfundimit të fjalimeve, duke e kthyer tubimin në një marshim nëpër rrugët e Tiranës.
Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe se do të vijojnë aksionin opozitar deri në dorëheqjen e kryeministrit. Përmes thirrjeve dhe pankartave, ata i kanë bërë të qartë kreut të qeverisë se, sipas tyre, revolta qytetare nuk do të ndalet pa arritur objektivin politik që kanë shpallur.
Protesta, e cila nisi në orën 18:00 para godinës së Kryeministrisë, vijon ende, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri i pjesëmarrësve është rritur gjatë mbrëmjes.
Lini një Përgjigje