Aktualitet25 Prill 2023, 11:34

"I gjallë nuk futet në banesën time", banorët e Bërxullës sërish në protestë: Rama e Balluku mos ta ketë të lehtë se është fushatë

Shkruar nga Pamfleti
"I gjallë nuk futet në banesën time", banorët e
Banorët e Bërxullës

Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish ditën e sotme në protestë, pasi punimet e firmës Gener2 për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar kanë avancuar, ndërsa qeveria hesht dhe nuk i jep asnjë përgjigje për kërkesat e tyre.

Prej më shumë se 7 muajsh ata kërkojnë vlerësimin e banesave dhe të gjejë tokën ku do të stabilizohen.

Në një prononcim për mediat, një prej banorëve tha se presin zbatimin e ligjit nëse ky projekt do zbatohet dhe të vlerësojnë pronën, pasi fshati i tyre izolohet totalisht. Ai theksoi më tej se nuk do të tërhiqen derisa të marrin zgjidhje kërkesat e tyre.

“Presim zbatimin e ligjit, nga kryeministrit, ARSH pasi një projekt madhor si ky kush e bëri? Të gjithë drejtoritë përkatëse, flenë gjumë nga 8 muaj. Të nxjerrin vlerën e pronave dhe banesave sipas tregut, nuk dimë se çfarë do bëjmë. Nga ministrja e Bujqësisë që nuk flet sesa toka po shkatërrohen, ajo bën sehir. Si merret prona. Ti thirrin mendjes dhe të bëjnë vlerësimin e pronës, ne nuk mund të jetojmë në këtë formë. Punimet kanë arritur deri këtu vetëm duke bërë marrëveshje individuale, çdo njeri e ka me pronën, ne nuk e ndalojmë dot. Po të ishte shteti që zbatonte ligjin, do ishte mbaruar si punë. Publikimi i kësaj leje kuptohet se ka hile, shfrytëzojnë kohën e fushatës. Jemi në pikën zero, ky kryqëzim do dalë jashtë funksionit, fshati izolohet totalisht. Do protestojmë deri sa të marrim zgjedhje, çdo pronë duhet të certifikohet sipas ligjit." u shpreh kryeplaku i fshatit Bërxullë, Muharrem Koni.

Një nga banorët iu drejtua kryeministri Edi Rama duke thënë se “duhet të shohë se si po u rrëmbehen pronat”, ndërsa thekson se “s’po kërkojmë gjë tjetër përveçse fëmijët tanë të jetojnë si fëmijët e tyre”.

“Shpresojmë në Zot sepse politikanët shqiptarë më të pafytyrë, më ordinerë që dalin nëpër fushata e kërkojnë vota. Na thonë na votoni prapë neve që të pimë gjakun e fëmijëve tuaj. Punimet po i avancojë paligjshmërisht. Kemi provat të vijmë të sekuestrojë punimet janë shkelur të gjithë të drejtat e banorëve të fshatit Bërxullë. Nuk po kërkojmë gjë tjetër, përveçse të jetojmë si fëmijët e këtyre, fëmijët tanë të jetojnë si fëmijët e këtyre. Na takon edhe neve të gëzojmë. Sa nuk është vonë të verifikojnë këto punime, është fundi i çdo gjëje. Shpresojmë në Zot sepse politikanët shqiptarë më të pafytyrë, më ordinerë që dalin nëpër fushata e kërkojnë vota, s’ka shpjegim. Na thonë na votoni prapë neve që të pimë gjakun e fëmijëve tuaj. Kryeministri të shohë si po rrëmbehen pronat tona dhe të gjithë fshatit Bërxullë.”, tha një prej banorëve.

“Kush vjen për tek banesa ime, i gjallë nuk futet. Mos ta ketë të lehtë kryeministri dhe Balluku që do bëjnë rrugë në fshatin tonë”, thotë një banore tjetër.

Banorët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet. Sipas tyre, kompania Gener2 që ka fituar koncesionin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi dhe në kundërshtim me ligjin duke theksuar se dëmshpërblimi i ofruar është qesharak. Banorët kërkojnë vetë diskutime dhe konsultim publik, duke paralajmëruar se protestat e tyre do të jenë të pandalshme.

banorët e bërxullës balluku rama protestë