TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Shtator 2023, 11:53

Abuzimi me fondet e IPARD-it, Nisma ‘Thurje’ padit në SPAK ish-ministren e Bujqësisë dhe drejtuesit e AZHBR

Shkruar nga Pamfleti
Abuzimi me fondet e IPARD-it, Nisma ‘Thurje’ padit në SPAK
Frida Krifca

Nisma Thurje ka denoncuar ditën e sotme në SPAK ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe disa zyrtarë të AZHBR-së, në lidhje me abuzimet me fondet e IPARD-it, që u ndërprenë nga Bashkimi Europian.

Në një dalje për mediat, kreu i nismës Thurje Endri Shabani i bëri thirrje SPAK që të hetojë zinxhirin vendimmarrës.

“Do të vazhdojmë të vijojmë kallëzime për 30 vite për ata që vjedhin këtë vend. Sot kemi bërë kallëzim për abuzimet e AXHBR-së, të fondeve të Ipardit. Kërkojmë hetim të ish-ministres së Bujqësisë dhe të përgjegjësve të tjerë. Ne shpresojmë që kjo të jetë një vijë ndarëse, e pakalueshme për dy arsye. Jemi para dy rasteve, të tradhtisë të fermerëve, pasi ai është i tradhtuar nga qeveria e vetë. Fëmijët tanë pinë qumësht nga Serbia dhe hanë domate nga Maqedonia. Po mirë që e kanë lënë fermerin vetëm dhe i heqin aksesin fermerëve nga tregjet, por edhe kur vijnë fonde nga BE, që ta ndihmojnë atë që të punojë më lirë, këto lekë i vjedhin. Vjedhin me një grup oligarkësh, siç kanë bërë 30 vite. Jemi para një vije ku nuk duhet të kalohet, drejt rrugës së BE. Ne përjashtohemi nga fondi i ndihmës që jepet nga europianët.”, tha Shabani.

Ndërsa, Pano Soko tha se janë denoncuar dhe zyrtarë të tjerë.

“Kemi denoncuar dhe zyrtarët kanë pasur detyrë për të kontrolluar fondet dhe dokumentacionet. Ne kemi marrë të gjitha të dhënat dhe flasim për raste konkrete. Fondet e IPARD vinë për fermerët”, tha Pano Soko.

Fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020 janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi se si masë parandaluese, ka vendosur ndërprerjen e përkohshme të fondeve për zbatimin e programit IPARD II.

Në një reagim zyrtar, Ministria e Bujqësisë pranoi se kanë nisur hetimet, por i konsideron si procedurë normale.

“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II'- thuhet në reagim.

Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së, në masën 75% dhe qeverisë shqiptare në masën 25%.

Komisioni Europian e ka penalizuar Shqipërinë me bllokimin e fondeve për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për praktikat e korrupsionit që ka gjetur në programin IPARD II, që u zbatua gjatë periudhës 2014-2020, sipas konfirmimeve që u dhanë nga Zyra e BE-së në Shqipëri për mediat.

Ngrirja e fondeve përfshin një shumë 112 milionë euro që BE miratoi për IPARD III, e cila do zbatohej gjatë periudhës 2021-2027 (shiko tabelën bashkëngjitur). Me gjithë bashkëfinancimin e qeverisë shqiptare, IPARD III përfshinte një shumë prej 146 milionë eurosh, të cilat mund t’i mungojnë sektorit më të madh në vend, nëse pezullimi nuk do të jetë i përkohshëm.

Në fondet IPARD III, ishin programuar për të disbursuar në Shqipëri 8 milionë euro më 2021, 10 mln euro më 2022, rreth 12 milionë euro këtë vit, 16 mln më 2024, rreth 19 mln të tjera në 2025, teksa 25 milionë ishin programuar më 2026 dhe kësti i fundit 24 mln euro më 2027.

Programi IPARD II i cili u përfshi në një proces hetimi nga OLAF (zyra që heton mashtrimin e buxhetit të BE-së, korrupsionin dhe keqpërdorimet serioze brenda institucioneve evropiane) ishte gjithsej 94 milionë euro në total, nga të cilat 71 milonë euro ishin financime të BE. Gjatë zbatimit të tij nga viti 2014 deri më 2020 u arrit të disbursohen 54,3 milionë euro, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë.

nisma ‘thurje’ kallëzon në spak frida krifca

Lini një Përgjigje