Aktualitet 7 Shtator 2023, 11:47

SPAK “kopsit” dosjen e Lefter Allës për tenderin 3.2 miliardë Lekë, ish-kryebashkiaku i Bulqizës merret i pandehur

Shkruar nga Pamfleti
SPAK “kopsit” dosjen e Lefter Allës për tenderin 3.2
Lefter Alla

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka marrë zyrtarisht të pandehur ish-kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla.

Dosja ndaj Lefter Allës dhe 10 personave të tjerë është dërguar në gjykatë.

Lefter Alla akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dhe për shpërdorim detyre. Ish-kryebashkiaku u arrestua më 16 Mars 2023 për abuzim me tenderin për ndërtimin e Ujësjellësit të Bulqizës me vlerë 3.2 miliardë Lekë.

Sipas SPAK, Alla në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, Enkeleda Lleshi dhe zyrtarët e tjerë, specialistët e prokurorimeve dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion kompania BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këta subjekte gjatë procedurës së prokurimit.  

Lefter Alla pas arrestimit është shkarkuar nga detyra nga kryeministri Edi Rama për faktin se ka favorizuar kompanitë e të afërmve të tij.

Bashkë me 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë, ranë në pranga për abuzim me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Në pranga ka rënë edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi.

Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Lefter Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri.

Më 18 mars, GJKKO caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për kryebashkiakun e Bulqizës dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar. Gjatë dëshmisë së tij, Alla i konsideroi akuzat si sulme politike ndaj tij.

spak ujesjellesi abuzim tender