
Gazetari Sokol Bregu i ftuar në emisionin “Top Story” ka komentuar masakrën e “Don Boskos” të ndodhur një natë më parë me pasojë vdekjen e një gruaje të pafajshme dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve.
Bregu tha se 90% e lokaleve në Shqipëri janë në pronësi të trafikantëve, 90% mos më shumë, çdo shtetas amerikan që vjen në vendin tonë i jepet një listë lokalesh që nuk duhet të shkojnë.
"Unë e shoh si një histori vetëshkatërrimi i shoqërisë shqiptare. 90% e lokaleve në Shqipëri janë në pronësi të trafikantëve, 90% mos më shumë, çdo shtetas amerikan që vjen në vendin tonë i jepet një listë lokalesh që nuk duhet të shkojnë. Edhe gjyqtarët kanë një listë ku nuk duhej të shkonin në Tiranë. Një pjesë e madhe që nuk iu bindën dhe humbën Vettingun se shkonin pinin kafe duke e ditur se e kishin listën. Kudo ku ulesh rrezikohesh.", tha Sokol Bregu.
Një i vdekur dhe 5 persona plagosur ishte bilanci i atentatit të djeshën në Tiranë, ku mes të cilëve dhe Sahit Murati, xhaxhai i Fatjonit si dhe një 10-vjeçare, mbesë e viktimës që u gjend në momentin e ngjarjes pranë lokalit, ku punonte gjyshja e saj si banakiere.
Dyshimet lidhur me objektivin e këtij sulmi, grupi hetimor i ka ngritur pasi ka rezultuar se në momentin kur është regjistruar ngjarja, në lokal ka qenë dhe i vëllai i Fatjon Muratit, së bashku me djalin e xhaxhait, Sahitit që mbeti i plagosur nga të shtënat.
Pasi qëlluan për të paktën 17 herë në drejtim të lokalit, autorët që dyshohet të ishin 3 persona, 2 në rolin e qitësit dhe 1 shofer u larguan nga vendngjarja.
Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.
Në këtë fshat, në zonën e quajtur ‘Ura e Sul Meres’, policia gjeti makinën e përdorur në krim, një BMW, që rezulton e vjedhur në Durrës më 14 Mars të 2021. Në brendësi të saj u gjeten edhe 3 armë zjarri automatike.
Deri në këtë fazë këto prova duket se janë shumë pak për të rënë në gjurmët e atentatorëve, ndaj policia njoftoi një shpërblim prej 20 mijë Eurosh për këdo që jep informacion për autorët e vrasjes.
Policia dyshon se ngjarja është pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale ku dyshohet se bën pjesë dhe pronari i lokalit, Fatjon Murati.
Ky i fundit rezulton me precedent të mëparshëm kriminal, pasi më 8 Tetor të vitit të shkuar u arrestua nën akuzën se dispononte një arsenal armësh që policia gjeti më 13 Korrik në dy apartamente në periferi të Tiranës.
Fillimisht Murati u la në burg, por arriti të fitojë lirinë, pasi Gjykata e Tiranës, i zëvëndësoi masën duke e lënë në ‘arrest shtëpie’. Megjithatë as kjo masë duket se nuk u zbatua prej tij, pasi policia njoftoi se mbrëmjen e së dielës ai nuk u gjet në banesë. Kontakti i fundit me të, sipas policisë, ishte më 7 Mars, datë pas të cilës ai dyshohet se është larguar jashtë vendit.
Lini një Përgjigje