
Trau i parkimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” hapet për këdo, por të gjesh një vend për të parkuar është shpesh një mision i pamundur.
Më shumë se 4000 automjete hyjnë përgjatë 24 orëve në mjediset e spitalit universitar, i cili disponon vetëm 900 poste parkimi, një pjesë e mirë e të cilave zihen që në orët e para nga mjekët dhe stafi i infermierëve.
Në këto kushte , qytetarët edhe pse paguajnë për çdo minutë qëndrimi në mjediset e spitalit, shpesh nuk e kanë një vend parkimi.
Qëndrimi i mjetit ku të mundesh mbetet zgjidhja e vetme.
Mjafton të bësh një vëzhgim në të gjithë territorin e QSUT-së për të kuptuar se çfarë ndodh me parkimet.
Drejtuesit e mjeteve shpesh gjobiten nga policia, për parkim në vende të ndaluara, por askush nuk mban përgjegjësi për këtë. Në fund të qëndrimit, do të duhet të paguash edhe faturën për parkimin që nuk e gjete.
Tarifat nisin nga 100 leke të reja për dy orët e para e më tej duhet të paguash 100 lekë për çdo orë shtesë.
Të ardhurat e fituara nga parkimi ndahen 45% për Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe 55% për Fondin Shqiptar të Zhvillimit që menaxhon territorin që prej vitit 2018. /Euro News
Lini një Përgjigje