
Duke folur për atentatin në Rinas, ish-deputeti Asllan Dogjani tha se përgjakja e djeshme tregoi se shteti është i kapur nga krimi dhe bashkëpunon me grupet kriminale.
Sipas Dogjanit, atentati për nga mënyra se si u krye, është bërë me bashkëpunimin brenda Policisë së Shtetit. Dogjani tha që një pjesë e Policisë së Shtetit është e lidhur me krimin, ndërkohë që sipas tyre ka edhe rekrutime të efektivëve me të meta mendore.
“Përgjakja ditën e djeshme në një vend që presupozohet se është vendi më i sigurtë, në drejtim të Aeroportit, tregon në radhë të parë se në Shqipëri kemi një mafie. Atentati ishte mafioz. Kemi grupe kriminale që kontrollojnë territorin dhe janë më të zotë se sa Policia e Shtetit.
Po të shohësh mënyrën si u organizua atentati, sigurisht me bashkëpunimin brenda Policisë së Shtetit, tregon një mirëorganizim të jashtëzakonshëm. Rrugës po mendoja që shteti ndoshta duhet të marrë eksperiencë nga grupet kriminale dhe të trajnohet! Po të ishte më e aftë se ato Policia do parandalonte shumë krime që ndodhin në Shqipëri.
Përgjakja e djeshme tregon një shtet i cili është i kapur nga krimi, i lodhur, i dobësuar, i mbaruar, që bashkëpunon me grupet kriminale. Ajo ngjarje e rëndë ka përcjell panik, frikë, ankth te qytetarët. Ata që kanë lëvizur aq shumë kohë pa frikën e policisë, kanë një lidhje me policinë, jo vetëm për faktin që shoferi i Gilmando Danit ka qenë agjent policie.
Këta organizatorë që bënë ekzekutimin mafioz duhen hetuar që mund të kenë një lidhje me policin, drejtorin e me radhë, sepse s’munden që 4 persona pa mbështetje nga policia, të rrinë, të ekzekutojnë në një zonë të tillë. Dyshoj që këto kanë lidhje. Në momentin që kalon në pikën e kalimit Dani, s’po kalon një qytetar i thjeshtë, po të njoftonte polici që po kalon filani…Kërkohet një hetim.
Si ka mundësi në këtë vend ndodhin vrasje, ngjarje të tmerrshme kriminale, dhe s’jep një dorëheqjen. Ore kanë përgjegjësi morale këta njerëz?! Përgjegjësia duhet të shkojë deri te ministrja, kryeministri, se ai ka deklaruar hëngshin kokat. Shqipëria sot është në ditët më të errëta të saj sa i takon rendit dhe sigurisë publike.
Një pjesë e policisë është e lidhur me krimin. Shohim policë që futen në Policinë e Shtetit që janë me të meta mendore. Të dalin policë që s’dinë të shkruajnë dhe komunikojnë. Policia duhet të largohet nga politika dhe të kemi një polici të pavarur”, tha ai në edicionin e lajmeve në Mcn Tv.
Lini një Përgjigje