Progres-raporti, BE kritika Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të pasurive, është ndër institucionet më të dobëta sa i takon rrugës drejt integrimit në BE.
BE ka publikuar sot progres-raportin e integrimit, ku ILDKP-së i bëhen shumë vërejtje. Ky organ ka marrë miliona euro në mënyrë që të jenë transparente deklaratat e pushtetarë, por ende “fshihen pas gishtit”. Pas 3 vitesh që ka nisur zbatimi i projektit, sërish pasuritë nuk janë transparente.
“Efektiviteti dhe transparenca e verifikimeve të deklaratave të pasurive dhe interesave nga ILDKPKI, përfshirë profilizimin me risk të lartë, duhet të rritet. Deklaratat e pasurive duhet të bëhen publike në internet, në përputhje me kërkesat ligjore. Koordinimi me zbatimin e ligjit duhet të përmirësohet më tej”, shprehet BE.
Po ashtu në një tjetër kapitull Brukseli shprehet: “ILDKP duhet të sigurohet që deklarimet e pasurisë së personave të ekspozuar politikisht të jenë të disponueshme publikisht në internet”.
Në Prill 2018, ambasadori i Delegacionit Europian në Tiranë në atë kohë, Luigi Soreca, dhe përfaqësuesit e Agjencisë Amerikane për Zhvillim, USAID, u shfaqën në ambientet e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive.
Tema e takimit publik ishte prezantimi i sistemit të ri elektronik të deklarimit të pasurive. Për këtë sistem, agjencia amerikane dhe projekti “Horizontal Facility” i Komisionit Europian, kishin shpenzuar mbi 500 mijë euro.
Projekti inovativ kishte tre qëllime; të lehtësonte mënyrën e plotësimit të formularëve të pasurisë nga zyrtarët e lartë; të forconte mekanzimat e kontrollit mbi pasuritë e fshehura; dhe, të realizonte transparencë maksimale për publikun, nëpërmjet publikimit të formularëve on-line. Në vitin 2022 pritej të zbatohej sistemi dhe ka dështuar sërish. Elementi tjetër është se ILDKP ka ulur ndjeshëm paditë për pushtetarët e lartë dhe kjo duket se ka alarmuar Brukselin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje