
Pas shumë vitesh heshtje dhe mungese në jetën publike, legjenda e sportit shqiptar, Silva Turdiu, ka vendosur të flasë. Dhe jo për çështje të zakonshme, por për të dhënë mbështetjen e saj publike për një nga kandidatet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një postim të gjatë dhe prekës në rrjetet sociale, ish-volejbollistja e Dinamos, një nga figurat më të dashura për shqiptarët, shpall përkrahjen e saj për Jorida Tabakun, deputeten e Partisë Demokratike që garon në listën e hapur për qarkun e Tiranës.
“Prej shumë vitesh kam zgjedhur të mos jem aktive publikisht në mediat shqiptare, edhe pse lidhja ime emocionale me Shqipërinë ka mbetur e pandryshuar. Këtë herë, megjithatë, kam vendosur të flas hapur dhe t’i jap mbështetjen time publike Jorida Tabakut”, shkruan Turdiu.
Arsyeja? Nuk është vetëm personale, por edhe shumë njerëzore.
“E kam përjetuar vetë çfarë do të thotë të përballesh me padrejtësi, shtypje dhe mungesë të lirisë. Prandaj, kur shoh një grua që ngrihet përballë padrejtësive dhe flet me integritet, nuk mund të hesht", vijon ajo.
Silva e përshkruan Joridën si një politikane që nuk dorëzohet, që mbron qytetarët dhe që përfaqëson shpresën për një Shqipëri më të ndershme e më dinjitoze. E vendosur prej kohësh në diasporë, Silva Turdiu përmend rëndësinë e pjesëmarrjes aktive në demokraci dhe vendimin e saj për të mbështetur një figurë që përfaqëson vlerat e saj.
“Për një Shqipëri të fisme, të drejtë dhe madhështore”, përfundon ajo mesazhin, duke sjellë në vëmendje jo vetëm një mbështetje politike, por një akt simbolik që vjen nga një zë që për dekada është identifikuar me forcën, dinjitetin dhe kurajon.
Lini një Përgjigje