
Gazetari Artan Hoxha tregoo se ka patur një komunikim telefonik me ministren e Jashtme, Elisa Spiropali sapo i është komunikuar masa “non grata” nga autoritetet greke në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Hoxha tha se mes pyetjeve në kufi, ishte edhe nëse kishte shkruar për masakrën e Peshkëpisë.
“Kam pasur vetëm një telefonatë me ministren e Jashtme, të cilën e kam njoftuar të parën në fakt sa më ka ndodhur kjo gjë. Më ka thënë që kam ngritur një ekip, po merret me këtë çështje. Ambasadës në Athinë ata nuk i kanë dhënë një përgjigje, siç më tha ministrja. Në anën tjetër më tha se kjo është një çështje që autoritetet greke kanë një qëndrim edhe në të kaluarën, problematik. Megjithatë unë kërkova që Republika e Shqipërisë të tregojë minimalisht integritetet dhe një vend që aspiron të hyjë në BE”, zbuloi Hoxha në A2 CNN.
“Nuk e prisja, por nuk u habita me atë që bënë. Shkova të dielën për në Janinë, për ilaçe kryesisht pasi kam babain të sëmurë në spital. Oficeri i kufirit, më tha: po shoh këtu në sistem që kemi problem. Duhet të kalosh në vijën e dytë se s'ta jap pashaportën, duhet të shkosh atje të marrësh pashaportën. Në moment, iu ktheva, i thashë për çfarë bëhet fjalë? Nuk kam pasur ndonjë problem në Greqi. E dyta, unë jam gazetar, i thashë, dhe si rregull duhet të ma thuash se çfarë është. Kalo, tha, në vijën e dytë dhe aty duhet të japin sqarime të mëtejshme. U habita, kalova në vijën e dytë. Aty ishte një oficer tjetër, i cili bëri në fillim disa pyetje për gjeneralitetet. Kjo nuk është e rrallë sepse në Shqipëri me emër dhe mbiemër Artan Hoxha janë 186 persona dhe këtë e kam mësuar kur kam shkuar për herë të parë për të marrë vizë ambasade amerikane, se ata na numërojnë mirë, dhe ai pyeti për gjeneralitetet, për babain, për nënën, pastaj me çfarë merresh. Pastaj, pyeti: ti e ke bërë këtë historinë? Duke filluar që nga masakra e Peshkëpisë, pastaj kishte zhvarrimet e Kosinës, ato të ushtarëve grekë, pra varrezat e ushtarëve grekë, deri te ngjarjet e fundit me Kacifas dhe këto me Belerin. Ai bëri vetëm pyetje dhe duke qenë që këto janë publike, ka ndodhur edhe në vende të tjera, se nuk është vendi i parë Greqia që të ndalon. Të kemi parasysh që në kufi ka edhe një lloj shorti, në çdo 10 veta njëri kalon në vijë të dytë”, tregoi më tej Hoxha.
Në vijim, gazetari sqaroi se shpallja nga Greqia si i padëshiruar është një vendim me dimension politik dhe nuk vjen për faktin se ai mund të ketë kryer shkelje ligjore në territorin helen, por për faktin se ka mbrojtur Shqipërinë në situata të caktuara siç është edhe debatit mbi kufirin detar.
“Dimensioni është politik. Atë që bën autoritetet greke ndaj meje nuk e kanë bërë thjesht ndaj qytetarit Artan Hoxha, Unë jam askushi, por e bën si një mesazh të qartë për kolegët e të tjerë pas meje, që nëse guxoni të pengoni interesat tona, pra interesat e Greqisë në territorin e Shqipërisë, pasojat do të bien mbi ju. Dhe unë jam një njeri që jam penalizuar jo se ka ndonjë çështje penale për mua në Greqi, por jam penalizuar për qëndrimet që kam mbajtur në favor të vendit tim, të simboleve të vendit tim, të bashkëqytetarëve të mi. Pra unë kam mbrojtur Shqipërinë, nuk kam cenuar Greqinë. Unë jam marrë brenda territorit shqiptar, edhe pse çështjet që kam mbrojtur unë, përfshirë edhe kufirin detar janë çështje shumë sensitive por janë mbi materiale konkrete”, deklaroi Hoxha.
Lini një Përgjigje