TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Shtator 2025, 08:04

Këshilli Bashkiak mblidhet sot për shkarkimin e Erion Veliajt, kryebashkiaku kërkon të jetë prezent

Shkruar nga Pamfleti

Këshilli Bashkiak mblidhet sot për shkarkimin e Erion Veliajt,

Ditën e sotme, në orën 10:00, do të mblidhet Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës, ku pritet të futet në rend dite kërkesa e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. Pasdite, në orën 16:00, çështja do të kalojë për diskutim në Këshillin Bashkiak.

Disa ditë më parë, Veliaj i dërgoi një letër Këshillit Bashkiak duke kërkuar të marrë pjesë në mbledhje. Sekretari i Këshillit, Behar Zeneli iu përgjigj se në rast se kryebashkiaku nuk mund të paraqitet fizikisht në mbledhje, mund të dërgojë pretendimet me shkrim.

Veliaj replikoi duke i kujtuar se Sekretari nuk mund të marrë rolin e një organi kolegjial, pasi kompetencat e tij janë vetëm administrative.

Sipas tij, deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për zhvillimin e mbledhjes, shkaqet e shkarkimit apo materialet që e ngarkojnë me përgjegjësi. Ai thekson se nuk i është garantuar e drejta për t’u dëgjuar, ndërsa shtoi se prania e tij në sallë duhej të vendosej nga Këshilli Bashkiak, edhe pa kërkesën e tij. Për këtë arsye, Veliaj i kërkoi Këshillit që të shprehet me votë për pjesëmarrjen e tij.

Porosia për shkarkimin e Erion Veliaj nga detyra u dha nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS-së (11 Shtator) ku shpalli kandidaturën e Ogerta Manastirliut për kreun e Bashkisë Tiranë.

Kujtojmë se Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.

Lini një Përgjigje