Juristi i njohur thotë se një dorëheqje e menjëhershme e kryeministrit mund ta gjejë të papërgatitur lëvizjen qytetare dhe të rikthejë përballjen tradicionale mes PS-së dhe PD-së.
Juristi Kreshnik Spahiu ka reaguar në lidhje me protestat qytetare që po zhvillohen në vend, duke paralajmëruar se një dorëheqje e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama nuk do të thotë domosdoshmërisht ndryshim politik, nëse lëvizja aktuale nuk arrin të organizohet politikisht.
Sipas Spahiut, Kushtetuta parashikon që në rast dorëheqjeje të kryeministrit, vendi mund të shkojë në zgjedhje brenda një afati shumë të shkurtër.
“Nëse Edi Rama jep sot dorëheqjen, sipas Kushtetutës, neni 65/3, zgjedhjet duhet të thirren brenda 45 ditësh, pra më 20 korrik. Sipas ligjit, në zgjedhje regjistrohen partitë ekzistuese. Një parti e re kërkon të paktën 3 muaj për t’u regjistruar. Mos u habisni nëse Rama luan bllofin, duke i gjetur të gjitha palët të papërgatitura. Në kutitë e votimit do të keni sërish vetëm dy opsione: PD dhe PS”, shkruan Spahiu.
Ai argumenton se energjia e protestës rrezikon të shpërndahet nëse nuk kthehet në një alternativë të organizuar politike që sfidon dy forcat kryesore të vendit.
“Nëse kjo valë protestash nuk shndërrohet në një mega-parti gjigante kundër PD-së dhe PS-së, por shuhet si te çështja e armëve kimike apo mbetet vetëm për pelikanin, atëherë do t’ju duhen edhe 20 vjet, por ky moment nuk do t’ju vijë”, shprehet juristi.
Në fund të reagimit të tij, Spahiu iu drejtua edhe organizatorëve dhe folësve të protestës, duke i këshilluar të kenë kujdes nga skenari i zgjedhjeve të parakohshme.
“Një këshillë shumë e vlefshme për disa miq të mi, të cilëve po ua dëgjoja fjalimet në shesh: bëni kujdes nga zgjedhjet e parakohshme, sepse mund t’i forconi edhe më shumë ata që duam t’i shohim në burg”, deklaron Spahiu.
Reagimi i tij vjen në një moment kur protestat kanë hyrë në javën e tyre të parë dhe po artikulojnë gjithnjë e më shumë kërkesa politike kundër qeverisë, por edhe kundër establishmentit tradicional politik, me thirrje që shpeshherë kanë në shënjestër njëkohësisht Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Lini një Përgjigje