Artisti Robert Aliaj u ka bërë thirrje shqiptarëve t'u bashkohen protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe klasës politike, duke deklaruar se patriotizmi nuk matet me simbole apo slogane, por me angazhim qytetar.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Aliaj iu drejtua atyre që, sipas tij, shfaqin patriotizmin në stadiume apo koncerte, duke i pyetur se përse nuk reagojnë kur vendi, sipas tij, ndodhet në vështirësi.
"Ku jeni ju patriotët e stadiumeve dhe koncerteve? Ju me tatuazhe të Shqipërisë së Madhe që ulërisni me histeri. Por kur atdheu digjet, pse strukeni si minj?", shprehet Aliaj në mesazhin e tij.
Artisti thekson se patriotizmi i vërtetë nuk lidhet me këngët apo simbolikën, por me gatishmërinë për të mbrojtur interesin publik dhe për të reaguar përballë problemeve të vendit.
"Lëvizni, bëni një herë diçka në jetën tuaj. Protestoni. Patriotizmi i vërtetë do të thotë besnikëri, të jesh i betuar për diçka më të madhe se vetja", deklaron ai.
“Ku jeni ju patriotët e stadiumeve dhe koncerteve tallava, ju me tatuazhe të Shqipërisë së madhe që ulërisni me histeri. Por kur atdheu digjet, pse strukeni si minj? Kur ti nuk je në gjendje të mbrosh fëmijën tënd, ti nuk e meriton atë. Ti patrioti njëpërdorimsh, Kush të ka tredhur ty?
Patriotizmi i vërtetë nuk është kënga e xhamadanit që shpërthen nga xhamat e makinave luksoze me të ardhura prostitucioni dhe droge, Nuk janë këngët e pasinqerta për shqipët që i keni shfarosur për t’i ngrënë apo balsamosur, as droga, as kriminaliteti, as korrupsioni. Jooooooo, nuk janë patriotizëm.
Patriotizmi i vërtetë kushton diçka zotërinj. Kushton më tepër se liria. Prandaj lëvizni, bëni një herë diçka në jetën tuaj. Protestoni. Patriotizëm i vërtetë do të thotë besnikëri, të jesh i betuar për diçka më të madhe se vetja.
Patriot i vërtetë është një i dashuruar me jetën, i lirë në hapësirë, nuk bën pazare, nuk vjedh vendin e tij, nuk vjedh votën, as nuk e shet. Refreni i Patriotizmit të vërtetë nuk është “O sa mirë me qenë shqiptar”. Patriotizëm i vërtetë është rituali i atij që ngrihet në këmbë kur atdheu është në rrezik.”, thekson ai.
Lini një Përgjigje