
Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 35-të. Aktivistja Arilda Lleshi akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të pajustifikuar të forcës ndaj protestuesve dhe tha se, sipas saj, ndërhyrja kishte për qëllim frikësimin e qytetarëve.
Ajo theksoi se protestuesit do të rikthehen para Kuvendit në çdo seancë parlamentare dhe se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
"Patjetër që policia kërkon të na intimidojë. Dhuna u iniciua nga policia dhe, përveç vezëve, nuk ka pasur elemente dhune të iniciuara nga ne që ta shtynin policinë të sillej në atë mënyrë. Kemi parë disa raste kur njerëzit, pasi janë larguar dhe nuk përbënin asnjë rrezik për policinë, janë goditur prej saj. Pra, dhuna e policisë ishte joproporcionale dhe, në disa raste, çnjerëzore", tha aktivistja.
Lleshi tha se lëvizja nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj politike, duke i cilësuar ato të panegociueshme.
"Absolutisht, ne do ta mbrojmë deri në fund deklaratën politike që kemi nxjerrë dhe këto janë kërkesat tona: dorëheqja e panegociueshme e qeverisë, krijimi i një qeverie tranzitore, ndryshime kushtetuese në lidhje me ligjin zgjedhor, vendosja e një kufiri mandatesh, si dhe shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike dhe i ndryshimeve ligjore të bëra në vitin 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura", u shpreh ajo.
Teksa ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për ndikim të faktorëve të huaj në protestë, aktivistja i cilësoi ato të pabazuara.
"Mendoj se po bëhen qesharakë. Është qesharake që një kryeministër të flasë me teori konspirative... Në momentin që gjithçka mbetet në nivel akuzash të paprovuara, kemi të bëjmë me teori konspirative", shtoi aktivistja.
Sa i përket mundësisë së dialogut me qeverinë, Lleshi tha se protesta nuk ka asgjë për të negociuar me kryeministrin.
"Ne e kemi thënë që në ditën e tretë të protestës... nuk kemi çfarë të negociojmë. Ne kërkojmë dorëheqjen e tij... Ne tashmë e kemi humbur besimin te kjo qeveri... Mendojmë se ata nuk janë aty në interes të kombit tonë dhe, për këtë arsye, duhet të largohen", përfundoi aktivistja.
Lini një Përgjigje