
Zyrtarizohen kandidatët që do të garojnë për kreun e ri të SPAK...
Katër emra kanë shfaqur interes për të marrë kreun e Prokurorisë së Posaçme. Altin Dumani më 18 dhjetor do të duhet të dorëzojë çelësat e zyrës dhe pavarësisht se u përfolën shumë emra, 4 prokurë kanë dorëzuar aplikimet në KLP për tu bërë pjesë e garës.
Sipas vetë KLP emrat që kanë shfaqur interes janë: Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Adnan Xholi.
"Në vijim të procedurës për përzgjedhjen e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), njoftojmë se, në përfundim të afatit zyrtar dhe kohës së pritjes për depozitimin e dokumenteve nëpërmjet shërbimit postar, pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë depozituar shprehjen e interesit për këtë pozicion prokurorët si më poshtë vijon: Klodian Braho, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliu dhe Adnan Xholi" thuhet në njoftimin e KLP.
Komisioni për Zhvillimin e Karrierës ka një afat prej jo më shumë se 10 ditë për të verifikuar nëse kandidatët plotësojnë kushtet. Më pas, ai i paraqet listën për miratim në mbledhjen plenare.
Votimi për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme është i hapur dhe bëhet nominalisht, pra me emër. Fiton kandidati që merr më shumë vota sesa të tjerët.
Ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se do të jenë sy e veshë ndaj KLP. 3 vite më parë ambasadorja Yuri Kim u detyrua të shkonte në mbledhje për të ndalur manovrat për kapjen e kreut të ri. Të shohim nëse këtë herë politika do të tentojë të vërë një të besuarin e saj, apo ndërkombëtarët do ta ndalojnë një skenar të tillë.
Profilet e 4 kandidatëve
Doloreza Musabelliu
Doloreza Musabelliu, mban një peshë të konsiderueshme të çështjeve penale që janë të natyrës së Krimit të Organizuar në SPAK.
Si prokurore e SPAK ajo hetoi dhe çoi në gjyq dosjen e klanit “Çopja” në Elbasan.
Për të vijuar me dosjen penale dhe mjaft voluminoze të “Plumbit të Artë”, ku përveç hetimit tashmë kjo prokurore po përballon thuajse e vetme dhe fazën e komplikuar të gjykimit të mbi 13 të pandehurve, mes të cilëve Nuredin Dumani, Erjon Alibej, Skerdi Tasi, e shumë të tjerë.

Doloreza Musabelliu, 44 vjeç, është nga Poliçani i Skraparit. Është një nga Magjistratet e diplomuara shkëlqyeshëm dhe për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë prokurore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Sapo mori detyrën e prokurores, mes viteve 2006 deri në 2007, Doloreza Musabelliu, ka drejtuar një nga operacionet më të bujshme të kohës së Krimeve të Rënda, duke arrestuar në atë periudhë anëtarë të grupit të Emiljano Shullazit, Artan Shabanin, Selfo Drizën, Ermal Gogun, Erges Ymerin, Ervin Ferhatin dhe vetë Shullazin.
Emra këta që deri në atë kohë konsideroheshin të paprekshëm, por që falë hetimeve u dënuam me masa dënimi më shumë se 7 vjet burgim për akuzë e trafikut të heroinës dhe mbajtje pa lejë të armëve.
Prokurorja ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa pati në dorë dosjen “Toyota Yaris” me miliona euro të konfiskuara dhe kaluara buxhetit të shtetit.
Së fundmi Musabelliu është prokurorja që sipas dëshmisë së Artan Tafanit është ndjekur nga grupi i Laert Haxhiut për tu eleminuar, pasi shkak ka qenë hetimi i saj për masakrën e Lushnjes ndaj Orges Bilbilit dhe Laert Haxhisë.
Klodian Braho
Ai u emërua në këtë SPAK më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimi ose ndryshe siç quhet, procesi i vettingut.
Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.

Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.
Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.
Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë emërimit në SPAK.
Elvin Gokaj
Kandidati tjetër që synon të marrë postin e drejtimit të SPAK është prokurori Elvin Gokaj. Ky kandidat ndryshe nga të tjerët, në thuajse gjithë karrierën e tij, ka shërbyer për vite me radhë si drejtues të prokurorive në rrethet Fier, Elbasan, Kurbin, Prokurori Apeli Shkodër dhe Prokurori Apeli Durrës.
Pesë prokurori të drejtuara në vite të ndryshme dhe periudha tepër të vështira. Plus ka shërbyer dhe si zv/drejtues në prokurorinë e Sarandës. Një CV-i mjaft e përsosur për të treguar një eksperiencë lidershipi.
Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Vetingut (shkalla e parë), pezulloi një vit nga detyra prokurorin Elvin Gokaj, me kushtin e ndjekjes së trajnimit të detyrueshëm pranë Shkollës së Magjistraturës.

Ky ishte vendimi i parë në zbatim të nenit “Ë” të Kushtetutës që parashikon masë disiplinore për kriterin e aftësive profesionale. Ndërkaq, Komisioneri Publik i kërkoi KPA shkarkimin e Gokajt nga detyra për një balancë negative prej 6 mijë eurosh.
Në nëntor të vitit 2020, Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi të rikthejë në detyrë prokurorin Elvin Gokajn, duke rrëzuar si Komisionerin Publik, ashtu edhe Komisionin e “Vetingut”.
Sipas KPA-së, Elvin Gokaj ishte i aftë profesionalisht, jo i korruptueshëm, pasuria e tij ishtë në përputhje me ligjin, ndërsa pastërtia e figurës së prokurorit nuk u vu asnjëherë në dyshim.
Në dhjetor të vitit 2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi Elvin Gokajn prokuror në SPAK.
Elvin Gokaj e ka nisur karrierën si prokuror në Burrel, ku ka hetuar dhe kopsitur disa dosje të rënda dhe të rëndësishme të viteve 1997-1998, periudhë kjo kur Burreli, ziente nga seritë e vrasjeve për shkak të hasmërisë mes dy bandave farefisnore “Dedja” dhe “Kola”.
Në atë periudhë të përgjakshme, prokurorit Gokaj dhe gjithë prokurorëve që ushtronin detyrën në Burrel, i duhej të qëndronin në zyrë me automatikë kallashnikovi, pasi bandat në Burrel kishin marrë edhe komisariatin.
Edhe pse situata ka qënë në kufijtë e dramatikes për të bërë detyrën shtetërore, sot shumë dosje hetimore dhe dënimi i anëtarëve të këtyre bandave, mbajnë firmën e Elvin Gokajt dhe dy prokurorëve të tjerë që vepronin në atë periudhë në Burrel.
Adnan Xholi
Statura tjetër e kandidatit të katërt për të qënë kreu i SPAK, është pikërisht ajo e Adnand Xholit, aktualisht mban postin e zv/drejtuesit të SPAK dhe shef i seksionit të krimit të organizuar.
Xholi, konsiderohet si një nga prokurorët që ka konsensusin e brendshëm të shumicës së prokurorëve të SPAK, për të qënë në krye të institucionit.
Kjo është gara e dytë që ai zhvillon në KLP për të marë postin e drejtuesit të SPAK, pasi në garën e parë ai rezultoi humbës përballë kandidaturës së Altin Dumanit që u mbështet fuqimisht nga qeveria dhe ambasadat e huaja.

Adnand Xholi, ka një CV të pasur në rol drejtuesi dhe organizativi të një institucioni, pasi ka drejtuar prokurorinë e Gjirokastrës, prokurorinë e Lezhës, Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ndërkohë mjaft dosje të rëndësishme tek Krimet e Rënda dhe në SPAK janë hetuar dhe gjykuar prej tij, si dosjet e vjetra që sollën identifikimin e vrasjes së policëve të shtetit në ngjarjet e rënda të “Qafë-Gjashtës”, Bandën e Cërrikut, vrasjen e Ibrahim Bashës në Lazarat, hetimin e Arben Tollisë së famshëm, hetimin e rastit të goditjes me plumba të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe shumë çështje të tjera deri tek e fundit e vëllezërve Ndreaj nga Burreli.
Dy dosje penale në SPAK që janë të vetmet e realizuara me metoda proaktive, dhe që flasin për trafik droge dhe ngritjen e laboratorëve të kokainës në Shqipëri, janë hetuar nga prokurori Adnand Xholi. /Pamfleti
Elvin Goga është prokuror i hekurt!!
Po e mori Xholi, e mori Rama.