TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Mars 2023, 20:06

Kush e liroi Dan Hutrën? Drejtësia “ping pong” për përgjegjësitë, askush nuk pranon fajin

Shkruar nga Pamfleti

Kush e liroi Dan Hutrën? Drejtësia “ping pong” për

Skandali është se Dan Hutra në çdo rast ka marrë gjykim të shkurtuar dhe prokuroria me gjykatat e kanë pranuar një gjë të tillë...

Askush nuk pranon të mbajë përgjegjësi për humbjen e 3 jetëve të pafajshme një ditë më parë. Një person i skeduar dhjetëra herë për krime nga më të ndryshmet, masakroi familjen e ish-gruas së tij dhe vrau motrën e një të dënuari, por askush nuk e pranon fajin. Dan Hutra doli nga qelia dhe bridhte i lirë në Tiranë, por sërish gjykata me prokurorinë nuk mbajnë përgjegjësi.

“Monstra” 40-vjeçar vrau gruan e parë dhe i përdhunoi motrën, por doli nga qelia sepse përfitoi nga gjykimi i shkurtuar. Pra bëri vetëm 16 vite burg. Ka kryer dhunë në familje dhe ka bërë disa grabitje, por sërish ka hyrë dhe ka dalë nga burgjet. Dhe ata që duhet ta mbanin në qeli, sot justifikohen. Nuk është rasti i vetëm kur kriminelët dalin nga qelia dhe kryejë masakra, por po ashtu nuk është e para herë që drejtësia nuk mban përgjegjësi. Dje dhe sot gjykatat dhe prokuroria kanë luajtur “ping pong” për përgjegjësitë.

Gjykata e Apelit doli dje dhe informoi se nuk ka asnjë faj sepse e kishte refuzuar kërkesën e tij për lirim. Por vetëm 2 ditë më pas i del nga qelia. Ishte Gjykata e Tiranës që mori një vendim lirimi. Sot gjykata reagoi duke u shprehur se pranoi kërkesën e prokurorisë.

Më 19 qershor të vitit 2022 është caktuar arrest me burg për vrasësin Dan Hutra, i cili të mërkurën vrau 3 gra në kryeqytet. Arrestimi i fundit u bë pasi ish-bashkëshortja Elena Hysa e akuzoi për dhunë në familje .Avokati i Hutrës asokohe kërkoi gjykim të shkurtuar, kërkesë që nuk u kundërshtua nga organi i akuzës.

Gjykata, duke marrë në konsideratë faktin se, nga palët nuk u paraqitën kërkesa për pavlefshmëri apo papërdorshmëri provash apo kërkesë për marrje provash të tjera; duke marrë në konsideratë se nuk u konstatua pavlefshmëri absolute apo papërdorshmëri të akteve si dhe duke konstatuar se, çështja zgjidhej në gjendjen që janë aktet, detyrimisht vendosi pranimin e kërkesës së të pandehurit për gjykim të shkurtuar”, thuhej në njoftimin e gjykatës.

Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe sëmundjes kronike nga e cila vuante Dan Hutra, ky i fundit bashkë me avokatin e tij ka bërë kërkesë për zëvendësimin e arrestit me burg në detyrim paraqitje.

Në përfundim të shqyrtimit, prokuroria kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg dhe më pas me aplikimin e kërkesave e dënoi përfundimisht me 1 vit burg. Ai doli nga qelia sepse e kishte përmbushur dënimin në paraburgim.

Ndërkohe reagoi edhe prokuroria, e cila ja faturon përgjegjësinë bashkëshortes së autorit. Prokuroria e Tiranës është shprehur se e ëma e ish-gruas së Hutrës ka kërkuar të tërheq padinë e vajzës ndaj Dan Hutrës. Ndërsa më pas e pyetur nga ana e Policisë Gjyqësore nëse është kanosur nga shtetasi Hutra në banesën e saj, ajo nuk ka pranuar t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Por skandali është se ai në çdo rast ka marrë gjykim të shkurtuar dhe prokuroria me gjykatat e kanë pranuar një gjë të tillë.

Më datë 16.06.2022, shtetasja A.H., ka njoftuar shërbimet e policisë se ndihet e rrezikuar nga shtetasi D.H., i cili ndodhej në banesën e saj. Për ngjarjen është pyetur edhe shtetasja K.H., e cila deklaroi se e bija është keqtrajtuar. Ajo ka deklaruar se ka biseduar me bashkëshortin dhe nuk duan që të kenë probleme me familjen dhe njerëzit e shtetasit D.H., dhe se kërkojnë që vajza të heqë denoncimin dhe të mos merret shteti me këtë punë. E pyetur nga ana e Policisë Gjyqësore nëse është kanosur nga shtetasi D.H., në banesën e saj, ajo nuk ka pranuar t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Për këtë ngjarje, është plotësuar kërkesë për urdhrin e mbrojtjes së shtetases E.A. Duke pasur parasysh se ky shtetas shfaq rrezikshmëri të lartë shoqërore si dhe nga verifikimet rezulton se shtetasi D.H., ka qenë person i dënuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal i dënuar me 25 vite burgim (kryer 13) pasi në vitin 2007 ka vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen D.H., dhe bazuar në nenin 251/2 të Kodit të Procedurës Penale, u vendos arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi. Prokurori i çështjes, Robert Kote, kërkoi dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 4719 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin D.H., i akuzuar për veprën penale ‘Dhunë në Familje’ parashikuar nga neni 130/a, paragrafi i parë i Kodit Penal dhe kërkoi dënimin e tij me 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj burg. Meqenëse gjykimi u zhvillua i shkurtuar, ndaj kësaj mase dënimi u kërkua të aplikohet neni 406 i Kodit të Procedurës Penale duke i ulur 1/3 e dënimit”, shprehet prokuroria.

Pra edhe këtë herë faji mbeti jetim, ndonëse një serial-killer doli në rrugë dhe masakroi 3 vajza, ndërkohë që bilanci tragjik mund të ishte shumë më i rëndë. /Pamfleti

hutra vrasje drjtesia

Lini një Përgjigje