TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Maj 2026, 22:22

Lëvizje të reja në Policinë e Shtetit, Alban Hoxha merr drejtimin e Komisariatit nr. 6 në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Lëvizje të reja në Policinë e Shtetit, Alban Hoxha merr
Foto ilustruese

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vijuar me ndryshimet në strukturat drejtuese, duke emëruar Alban Hoxhën në krye të Komisariatit nr. 6 në Tiranë, në një seri lëvizjesh që synojnë riorganizimin e institucioneve të rendit.

Hoxha zëvendëson në këtë detyrë Edvin Pecin dhe vjen me një eksperiencë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit. Më herët ai ka mbajtur postin e shefit të Sektorit të Krimeve në Volum në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, si dhe ka drejtuar sektorë të rëndësishëm si antidroga dhe operacionalja. Gjithashtu, ka shërbyer në disa qarqe të vendit, përfshirë Fierin dhe Shkodrën.

Kjo lëvizje pason një valë ndryshimesh të ndërmarra pak ditë më parë në disa nivele të policisë. Sipas vendimeve të mëparshme, Alfred Cenaj është caktuar shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, ndërsa janë bërë edhe riorganizime në strukturat e kufirit.

Arbër Zemani është larguar nga drejtimi i Kufirit në Shkodër dhe është transferuar në krye të Drejtorisë së Kufirit në Vlorë. Ndërkohë, Altin Lila është emëruar drejtor i Kufirit në Durrës, ndërsa Agim Basha ka marrë drejtimin e Kufirit në Shkodër.

Ndryshimet kanë prekur edhe nivele të tjera drejtuese. Besmir Dervishi është transferuar nga posti i zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës për të marrë detyrën e shefit të Krimeve në Kukës, ndërsa vendin e tij në kryeqytet e ka zënë Oliger Torba, i ardhur nga e njëjta detyrë në Fier.

Në nivel qendror, drejtimi i Drejtorisë Operacionale i është besuar Alban Dautajt, i cili më parë drejtonte Antiterrorin, duke zëvendësuar Melsi Koçin. Ndërkohë, Edmond Sula është emëruar në krye të Antiterrorit.

Lëvizje janë bërë edhe në komisariate dhe drejtori të tjera, ku Ermal Kënaçi është transferuar nga Komisariati nr. 2 në Tiranë drejt Kukësit, ndërsa Gent Ndoj është dërguar në Dibër. Në strukturat e trafikut në kryeqytet, komandanti Joan Trungu është transferuar në krye të forcës speciale “Shigjetat”.

Këto ndryshime vijnë pas emërimit të Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit dhe janë pjesë e një procesi më të gjerë riorganizimi, i cili synon rritjen e eficiencës dhe forcimin e kontrollit në rendin publik dhe pikat kufitare.

policia hita

Lini një Përgjigje