TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Qershor 2023, 11:34

Gjykata e Elbasanit liron me kusht ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata e Elbasanit liron me kusht ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri
Saimir Tahiri

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është liruar ditën e sotme me kusht nga burgu.

Gjykata e Elbasanit vendosi që Tahiri ta kryejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi. Vendimi u mor sot nga gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Matilda Fetahu. 

Mësohet se avokatët e tij kanë paraqitur në gjykatë një ekspertizë mjekësose, në të cilën thuhet se ai nuk mund të qëndrojë në burg. Ish-ministri ka qëndruar rreth 16 muaj burg qeli. Fillimisht ka qenë në qeli në Peqin dhe më pas në burgun e Lushnjës. Tahirit i kishin mbetur gati 1 vit e disa muaj nga dënimi. 

Gjatë seancave të mëparshme gjyqësore, Tahiri kërkoi ulje të dënimit me 1 vit e 6 muaj burg pasi pretendoi se gjatë periudhës kur ai ka kryer shërbimin e provës ka shlyer 1.6 vjet nga dënimi që shqiptoi Gjykata e Apelit.

Saimir Tahiri u dënua me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ai u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj.

“Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj shërbime dhe përfitime të padrejta dhe se njëkohësisht shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit,” deklaroi gjyqtari Engert Pëllumbi.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi u kontestua në Apel dhe në Gjykatën e Lartë dhe pas rikthimit për shqyrtim prodhoi sërish të njëjtin rezultat.

saimir tahiri

Lini një Përgjigje