TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 16:14

Lubonja: Libri "Albanian Files" tregon kapjen e shtetit nga Rama, ka prova që çojnë drejt një hetimi

Shkruar nga Pamfleti

Lubonja: Libri "Albanian Files" tregon kapjen e shtetit nga Rama, ka

Analisti Fatos Lubonja e ka cilësuar librin "Albanian Files" si një dëshmi të mënyrës se si është kapur shteti nga kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë për "News 24", ai tha se fakti që projektet e përfshira në libër nuk janë bërë publike për qytetarët është tregues i një qasjeje antidemokratike në qeverisje.

Sipas Lubonjës, një pjesë e projekteve janë hartuar për zona të mbrojtura në një kohë kur ligji nuk lejonte ndërtime të tilla, çka sipas tij ngre dyshime serioze mbi mënyrën se si janë marrë vendimet.

“Libri nxjerr shumë gjëra. E para, libri është në anglisht. Ti je kryeministri i vendit tënd, i paraqet një projekt kaq madhor popullit me 60 studio që ndërtokan në male, fusha e det dhe nuk e di populli se çfarë bëhet. Tregon mendësinë antidemokratike. Ata arkitektët tentojnë ta nxjerrin edhe të iluminuar, ai e thotë si ironi por nuk është. Kur i thotë se kur i thotë se të bëhesh mbret se ti je i iluminuar dhe po na bën revolucion”, u shpreh ai.

Analisti u ndal edhe te projekti i Zvërnecit, i cili deklaroi se planet kanë ekzistuar shumë përpara ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura. Sipas tij, kjo tregon se ndryshimet në legjislacion janë bërë për t'iu përshtatur projekteve dhe jo anasjelltas.

“Ky që thotë nuk ka projekt për Zvërnecin, ky i ka bërë këto projektet me kohë. Janë aty si master plane. Shiko çfarë është e rëndësishme, një pjesë e mirë e këtyre projekteve janë bërë kur nuk ishte ndryshuar ligji i zonave të mbrojtura. Ti ke zona të mbrojtura dhe paguan arkitektë që të bëjnë projekte në zona të mbrojtura pa qenë i ndryshuar ligji. Kjo është kapje e shtetit. Ata e dinë se kryeministri nuk pyet për ligjin si është se e ndryshon si të dojë”, tha Lubonja.

Lubonja shtoi se ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura duhet të hetohet, duke bërë një krahasim edhe me çështje të tjera që janë objekt i drejtësisë. Ai ngriti pikëpyetje edhe mbi identitetin e investitorëve që, sipas tij, në shumë raste mbeten anonimë.

“Ai ligj ka ndryshuar, ka dalë një deputet që s’ia di emrin njeri, dhe ka bërë një propozim gjasme dhe e ndryshoi parlamenti ligjin. Berisha është në akuzë për ndryshim të një ligji që përfitoi dhëndri i tij. Ndaj duhet hetuar. Ka shumë prova që të çojnë në hetim nga ky libër. Aty ka projekte që janë 42 përqind investitorë anonim. Kush janë? Kjo të çon te teza e pastrimit të parave”, vijoi ai.

Në fund, analisti u ndal edhe te investitorët e projektit të Zvërnecit, duke pretenduar se struktura e pronësisë është ndërtuar në mënyrë që të mos identifikohen përfituesit përfundimtarë.

“Edhe te Zvërneci, janë disa me 24 përqind në Holandë ofshore dhe sipas ligjit holandez duhet të kesh 25 përqind që të thuash se kush është emri. Mirë që na fshihen edhe projektet, fshihen edhe investitorët. Jemi jashtë vendimmarrjes e kontrolleve. kjo është kriminale nga një delirant që mendon se është përmbi ligjin", tha Lubonja.

lubonja rama "albanian files"

Lini një Përgjigje