Protesta nisi nga prokuroria dhe u përmbyll para bashkisë së Elbasanit si dy nga institucionet që qytetarët presin reagim dhe masa konkrete.
Për të katërtën ditë radhazi, zjarri që ka përfshirë fushën e mbetjeve urbane në Elbasan vijon të shkaktojë shqetësime të mëdha për banorët dhe mjedisin.
Flakët janë përhapur në thellësitë e landfillit, ku depërtimi i flakëve ka bërë që mbetjet të vazhdojnë të digjen, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar zonën përreth. Ky fenomen ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve në të gjithë zonën.
Me pankarta në duar, një grup i vogël qytetaresh, thirrur nga shoqëria civile, protestuan sot ne Elbasan, duke kërkuar nga prokuroria të hetojë shkaqet e zjarrit në landfill dhe vendosjen para përgjegjësisë së fajtorëve.
Protesta nisi nga prokuroria dhe u përmbyll para bashkisë së Elbasanit si dy nga institucionet që qytetarët presin reagim dhe masa konkrete.
Protestuesit kërkuan që të hetohet çështja e mbetjeve dhe të merren masa për menaxhimin e tyre, në mënyrë që Elbasani të mos përballet më me situata te tilla.
Kujtojmë që Elbasani ndodhet për të katërtën ditë rradhazi nën 'pushtetin' e flakëve dhe ajrit të ndotur. Kompania “Eco-ALb”, që menaxhon inceneratorin, ka marrë çdo vit miliona nga bashkitë përreth për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve. Por nuk ka bërë asnjë trajtim, kjo pasi inceneratori ka qenë jashtë funksionit. Por, kjo nuk e ka ndalur kompaninë të grabëllojë miliarda.
Mësohet se përgjatë viteve 2022, 2023, 2024 dhe 5 mujorit të vitit 2025, 8 bashkitë e qarkut kanë derdhur në llogari të kompanisë mbi 4 miliardë lekë.
Bashkia Elbasan ka kryer plot 239 transaksione bankare me një vlerë të përgjithshme mbi 2 miliard e 442 milion lekë të vjetra.
Bashkia e Gramshit rezulton të ketë kryer 72 transaksione në drejtim të “Eco-Elb” me 209 milion lekë të vjetra. Ndërsa bashkia e Librazhdit ka kryer 65 transaksione me vlerë 265 milion lekë të vjetra.
Bashkia Prrenjas ka kryer 71 transaksione me 223 milion lekë të vjetra. Kurse bashkia e Cërrikut ka kryer 71 transaksione drejt “Eco-Elb” me vlerë totale mbi 308 milion lekë të vjetra.
E përfshirë në transaksione për një shërbim që është kryer pjesërisht është dhe bashkia Belsh, e cila ka kryer 72 transaksione me vlerë mbi 198 milion lekë të vjetra. Pas saj ka vijuar dhe bashkia e Peqinit me 66 transaksione, vlera e të cilave është 298 milion lekë të vjetra.
E fundit qëndron bashkia e Rogozhinës e cila ka kryer drejt kompanisë “Eco-Elb”, plot 12 transaksione me vlerë financiare 187 milion lekë.
Në nenin 4 të Objektit të Kontratës së lidhur mes administratorit të “Eco-Elb” Leli Kraja dhe 8 Drejtorive Juridikë të bashkive në qarkun e Elbasanit, parashikohet pranimi i mbeturinave, grumbullimi i tyre, trajtimi dhe më pas djegia nëpërmjet impiantit të incenerimit.
Të 4 këto shërbime sipas kontratës duhet t'i ofronte kompania “Eco-Alb”. Ndërsa 8 bashkitë duhet të paguanin nga buxheti i tyre çdo muaj për këto 4 shërbime.
Tre proceset e para siç është pranimi, grumbullimi dhe trajtimi që parashikon seleksionimin e tyre janë kryer për gati 4 vite me radhë nga kompania, ndërsa incenerimi thuajse nuk është ofruar fare si shërbim. Kjo për shkak se sipas kompanisë “Eco-Elb”, impianti i djegies ka pasur difekt dhe pjesën më të madhe ai ka qëndruar i mbyllur.
Prokuroria ka nisur hetimet për këtë aferë, por duket se gjithçka ecën me ritme të ngadalta. Pak ditë më parë u thirrën në organin e akuzës drejtorë Juridikë dhe disa shefa finance të Bashkive Elbasan, Gramsh, Librazhd, Prrenjas, Cërrik, Belsh, Peqin dhe Rogozhinë. Por vetëm 3 nga 10 të thirrurit u paraqitën duke sfiduar ligjin. Tani duket se duan të fshehin gjurmët e krimit dhe djegin plehrat në mes të ditës dhe vapës./Pamfleti
Lini një Përgjigje