
Gazetari Artan Hoxha teksa ka kujtuar dëshmorët e masakrës së Peshkëpisë, u shpreh se është një turp për autoritetet e Shqipërisë që nuk ka mundur të ndëshkojë autorët dhe organizatorët e saj.
Si pasojë e ngjarjes së rëndë të ndodhur më 10 Prill 1994, u vranë nga një skuadër komando dhe me uniforma të Ushtrisë greke së Janinës, komandanti i repartit në Peshkëpi, Fatmir Shehu dhe ushtari roje, Arsen Gjini. Të dy, janë sot “Dëshmorë të Atdheut”.
“Turp i madh për autoritetet e Republikës së Shqipërisë, që edhe pas 29 vitesh, nuk kanë mundur të ndëshkojnë autorët dhe organizatorët e “Masakrës së Peshkëpisë”.
Duke filluar nga presidenti në detyrë kur ndodhi ngjarja, Sali Berisha dhe duke përfunduar sot, te kryeministri në detyrë Edi Rama, askush nuk ka patur kurajon për të folur, apo për të denoncuar autoret e masakrës, lëre pastaj për të ushtruar presion ndaj organeve të drejtësisë, të cilat duhej ta kishin zbardhur të vërtetën.
Kjo ngjarje mbetet dhunimi me i rëndë, që i është bërë territorit të Republikës së Shqipërisë, në 80 vitet e fundit.
Një skuadër komando, e armatosur dhe e pajisur me uniforma ushtarake të Divizionit të Ushtrisë Greke të Janinës, hyri në thellësi të territorit të Republikës së Shqipërisë, mbrëmjen e 10 prillit 1994.
Skuadra e sulmit, e ardhur nga territori grek nëpërmjet piramidës numër 24, fillimisht ekzekutoi ushtarin në vendroje, Arsen Gjini, “Dëshmor i Atdheut” dhe me pas, ekzekutoi komandantin e repartit kufitar të Ushtrisë Shqiptare, Kapiten Fatmir Shehu, “Dëshmor i Atdheut”.
Ne vijim, skuadra e sulmit, e identifikuar si njësi komando e të ashtuquajturës Ushtria për Çlirimin e Vorio-Epirit, mori peng për disa ore rresht, efektivin prej 127 ushtaresh, kryesisht rekrute të rinj, të gjithë të paarmatosur.
Gjatë largimit në thellësi të territorit grek, komando terroriste e shovinisteve ultranacionaliste greke, mori peng kapterin Qemal Stroka dhe një pjesë të armatimit që gjeti në repartin e Peshkëpisë….
Tre dekada pas ”Masakrës se Peshkëpisë”, Republika e Shqipërisë, ka dy “Dëshmorë të Atdheut”, të cilët derdhen gjakun në krye të detyrës, por nuk ka zbuluar dhe ndëshkuar kurrë, vrasësit e pabesë të mbrëmjes së 10 prillit 1994….Asgjë nuk harrohet…Koha është e maskarenjve, por atdheu është i shqiptarëve.”, shkruan Hoxha në postimin e tij.