Aktualitet12 Korrik 2023, 10:01

"Mbushën" me kokainë 6 shtete të BE-së, SPAK arreston 3 anëtarë të grupit kriminal të Jetmir Kastratit

Shkruar nga Pamfleti
"Mbushën" me kokainë 6 shtete të BE-së, SPAK
SPAK

Një tjetër i përfshirë në grupin kriminal i cili është goditur në vitin 2019 pasi trafikonte drogë në gjashtë vende të Bashkimit Europian.

Bëhet fjalë për një person me iniciale N.N., i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Pak ditë më parë, më 4 korrik ranë në pranga edhe dy të përfshirë në këtë organizatë kriminale.

Njoftimi i SPAK:

Në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me proçedimin penal Nr.49 datë 27.03.2023, të regjistruar pas një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet e drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, si dhe në zbatim të vendimit nr.76, datë 28.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 11.07.2023 nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit është bërë i mundur ekzekutimi i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale, për shtetasin nën hetim N.N, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në vijim dhe të njoftimeve të mëparshme, në lidhje me këtë proçedim penal, po në zbatim të vendimit nr.76, datë 28.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 03.07.2023 nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale, për shtetasit nën hetim K.D dhe A.M, gjithashtu të dyshuar për kryerjen veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Personat e arrestuar aktualisht në Shqipëri, në kuadër të proçedimit penal nr.49 të vitit 2023, dyshohen se janë pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, të cilët në kuadër të hetimeve të kryera në Danimarkë në lidhje me “Operacionin Goldfinger” dhe të zhvilluar gjatë viteve 2018-2019, dyshoheshin se kanë trafikuar, ruajtur, përpunuar dhe shpërndarë sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike kokainë dhe mariuhanë, duke vepruar kryesisht në Danimarkë , Suedi, Norvegji, Belgjikë, Hollandë dhe Gjermani, ku si drejtues i grupit të strukturuar kriminal nga autoritetet daneze të drejtësisë është konsideruar shtetasi Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniçi).

Në Danimarkë janë arrestuar, dërguar për gjykim dhe dënuar me burgim nga Gjykata e Kopenhagen anëtarët kryesorë të grupit të strukturuar kriminal, ndërkohë në Shqipëri rezulton se nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar janë dënuar me burgim për veprat penale penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, pika 1, gërmat “a”, “b” dhe “d” e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal shtetasit Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniçi), Astrit Beqiri dhe Dhimitër Shkodrani.

Arrestimet e tyre vijën si vazhdë e operacionit ‘Goldfinger’, i cili në vitin 2019 goditi këtë grup me që drejtohej nga Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasnici). Që prej vitit 2012 deri në Qershor 2019, grupi, ka trafikuar sasi shumë të mëdha kokaine kolumbiane në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga shitja e të cilës ka siguruar të ardhura me origjinë kriminale. Katsrati është i dënuar nga GJKKO me 13 vite e 6 muaj burg.

Në kuadër të këtij grupi të strukturuar kriminal, në Danimarkë janë arrestuar, dërguar për gjykim dhe dënuar nga Gjykata e Kopenhagen anëtarët kryesorë të grupit të strukturuar kriminal midis të tjerësh shtetasit shqiptarë Defrim Beck (Elbasani), Armando Doçaj, Eri Pelinku, Ervin Pelinku, Nikardo Preka, Kejdi Beqiri, Fatjon Elbasani, Murat Lipovica, Hasan Murati, Shkëlzen Murati dhe Ylber Troci, të cilët janë dënuar me burgim nga Gjykata e Kopenhagen dhe aktualisht po vazhdon gjykimi në Gjykatën e Apelit.

Këto të ardhura pas vitit 2012 janë shndërruar në pasuri të ndryshme të luajtshme dhe paluajtshme në Shqipëri, duke bërë në këtë mënyrë pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale, nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme në zonën e Velipojës dhe qytetin e Shkodrës, si dhe aktivitete ekonomike në qytetin e Shkodrës, siç ishte një biznes pulari me emrin tregtar “RENS 2015”, pasuri apo aktivitete ekonomike këto të regjistruara në emër të të afërmëve të të pandehurit, si dhe të konfiskuara më parë në kuadër të zbatimit të Ligji nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për  Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të  Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, të ndryshuar.

Zbulimi i aktivitetit kriminal, hetimi dhe gjykimi i Jetmir Kastratit, në lidhje me pastrimin e produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorisë së Posaçme me autoritetet e drejtësisë së Danimarkës dhe Norvegjisë. 

Jetmir Kastrati është kunati i Astrit Beqirajt, ndërsa rezulton se është arrestuar në Danimarkë. Jetmir Kastrati është dënuar kryerjen e veprave penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim të posaçëm, në formën e të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

spak jetmir kastrati grup kriminal