Gjykata e Lartë ka pranuar heqjen dorë nga rekursi të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Ndaj tij, mbetet në fuqi dënimi me dy vite burg, pesë vite heqje e të drejtës për të mbajtur funksione publike.
Ish-funksionari i lartë i drejtësisë u gjet fajtor për fshehje pasurie.
Nga arratia, ish-kryeprokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla hoqi dorë nga rekursi që depozitoi në Gjykatën e Lartë nga ku kërkonte pafajësi.
Adriatik Llalla u dënua me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion dhe për pesë vite ai nuk ka të drejtë të ushtrojë asnjë funksion publik. Ai u shpall fajtor për fshehje të pasurisë, ndonëse mbrojtja e tij ligjore e kundërshtoi diccka të tillë. Vendimi në 20 maj të vitit 2021 u dha nga gjyqtarja Daniela Shirka, ndërsa hetimet u kryen nga prokurori Klodian Braho.
Edhe pse në kërkim ndërkombëtar, Adriatik Llalla u shfaq në një takim të kreut të PD Sali Berisha, me emigrantët shqiptar në Romë, më 9 shkurt 2025. Ish-kryeprokurori ishte i pranishëm mes militantëve të mbledhur në sallën ku, Berisha mbajti takim politik me diasporën.
Në kuadër të hetimeve të kryera për këtë çështje, me vendim të gjykatës Adriatik Llallës i janë konfiskuar disa pasuri, ndër to një apartament në Durrës dhe sipërfaqe toke në periferi të Tiranës.
Më herët Gjykata e Lartë i refuzoi një kërkesë ish-kryeprokurorit, që kërkonte pezullimin e dënimit me argumentin se vuan nga një sëmundje e rëndë.
Lini një Përgjigje