
Analisti Ergys Mërtiri ka deklaruar se protestat e parlajmëruara nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha janë thirrur në mënyrë që vërtetë Berisha të heqë përgjegjësinë nga humbja e zgjedhjeve të fundit.
Ai renditi disa arsye që Berisha ka bërë thirrje për protesta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, midis tyre ai specifikoi se vetë Berisha nuk ka bërë një analizë mbi humbjen e zgjedhjeve më 11 maj.
“Berisha është i detyruar të bëjë protesta për disa arsye. Është i detyruar të bëjë protesta pasi ka një humbje të thellë në 11 maj për të cilën akoma nuk ka bërë asnjë analizë, nuk ka dhënë asnjë shpjegim, nuk ka reaguar. Dhe nuk ka protestuar akoma. Ai sulmoi Lulzim Bashën pasi e largoi kur ai nisi foltoren me idenë se vërtet ia vodhën zgjedhjet Lulzim Bashës, por Luzim Basha nuk bëri asgjë për t’i mbrojtur zgjedhjet dhe nuk bëri protesta pasi ia vodhën. Ky tashmë ka kaluar muaj, janë gati 7 muaj dhe akoma nuk bërë protesta deri tani dhe është në kontradiktë me veten. Ndërkohë që demokratët mendojnë që ky është mjeshtri i protestave dhe ky premtoi se do ta rrëzonte Edi Ramën me protesta”, u shpreh Mërtiri në emisionin “3D” në RTSH1.
Ai vuri në dukje se kanë kaluar 7 muaj që prej zgjedhjeve të 11 majit dhe Berisha sipas Mërtirit nuk ka bërë asnjë protestë për mbrojtjen e votës së lirë.
“Kaluan zgjedhjet dhe akoma nuk ka bërë protesta për të mbrojtur zgjedhjet që ia vodhën. Edhe këtu ka një problem sepse këtu ka një kontradiktë nuk thotë që do të bëjë protesta për të mbrojtur votën e lirë por thotë që do të bëjmë protesta për të rrëzuar Edi Ramën sepse u kap me presh në duar te Balluku, pra nuk është i qartë”, theksoi Mërtiri.
Analisti shtoi se problemet e brendshme në Partinë Demokratike dhe mos llogaridhënia për humbjen në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare e shtyjnë Berishën të ndërmarrë aksionin e protestave.
“Në fakt protestat nuk po i bën për të rrëzuar Edi Ramën, por ka një arsye pse bëhen protestat në të tilla kushte kur ti e di që nuk e rrëzon dot kundërshtarin sepse ka një problem të brendshëm, të cilin ti duhet ta zgjidhësh. Problemi i parë i brendshëm është që nuk ke dhënë llogari për zgjedhjet. Problemi mbetet aty. Në çdo dalje duket sikur i rëndon pikëpyetje se çfarë po bën për të mbrojtur votën e lirë. Teksa e gjithë shoqëria thotë që ky duhet të mbajë përgjegjësi për humbjen në zgjedhje në Partinë Demokratike nuk thotë askush se ky duhet të mbajë përgjegjësi për humbjen, të gjithë thonë ky duhet të qëndrojë. Ka një kontradiktë të thellë”, shpjegoi Mërtiri.
Lini një Përgjigje