Protesta e zhvilluar të shtunën në Rrjoll të Velipojës ka krijuar konfuzion në një pjesë të mediave ndërkombëtare, të cilat kanë raportuar gabimisht se tubimi lidhej me investimin e Jared Kushner në jug të Shqipërisë.
Ndërsa prestigjiozja britanike “The Guardian” raportoi saktë se protesta në Rrjoll kishte të bënte me kundërshtimin e një resorti tjetër turistik dhe me pretendimet e banorëve për çështje pronësie, disa media të tjera ndërkombëtare kanë bashkuar dy ngjarje të ndryshme në një raportim të vetëm.

Mes tyre është edhe Al Jazeera, e cila në raportimin e saj shkruan: "Protestuesit u përplasën me policinë shqiptare në vendin ku po ndërtohet një resort luksoz turistik me mbështetjen e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump. Demonstrata të mëdha u zhvilluan gjithashtu në Tiranë të premten, ndërsa po rritet kundërshtimi ndaj projektit prej 5.7 miliardë dollarësh pranë ligatinave të mbrojtura."

Në këtë mënyrë, media ndërkombëtare e paraqet protestën si të lidhur me investimin e Kushner, ndërkohë që protesta në Rrjoll është zhvilluar në veri të vendit, në zonën e Velipojës, dhe ka nisur prej muajsh për shkak të kundërshtimeve të banorëve ndaj një resorti tjetër turistik dhe pretendimeve për pronat.
Rrjolli ndodhet qindra kilometra larg Zvërnecit, ku po planifikohet investimi i lidhur me Jared Kushner. Dy projektet nuk kanë të njëjtët investitorë, nuk ndodhen në të njëjtën zonë dhe nuk lidhen me të njëjtat pretendime të komunitetit lokal.
Normal vetëm sulmi ndaj Trump i intereson