
Moti i keq vijon të krijojë probleme në disa zona të vendit, ndërsa toka e banesa janë përmbytur edhe si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati
Nga raportimet e fundit mësohet se lumi i Vjosës ka dalë nga shtrati duke përmbytur tokat në afërsi të autostradës Fier-Vlorë.
Situata paraqitet problematike edhe në fshatrat e Lezhës, ku si pasojë e shembjes së argjinaturës në lagunën e Vainit në zonën e Tales, uji ka vërshuar në fshatrat Mylte, Barbullojë si dhe në fushën e Treshit dhe të Spitenit.
Nga pamjet e transmetuara nga Report TV, niveli i ujit në këto zona ka arritur deri në 1 metër.
Disa banesa janë përmbytur, ndërsa shumë të tjera janë rrethuar nga uji. Lëvizja e banorëve në Rrilë kryhet vetëm me varka. Banorët kërkojnë ndihmë të menjëhershme, veçanërisht ushqim për bagëtitë.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, tha se ekipet po punojnë për të rindërtuar argjinaturën.
Situata paraqitet e rënduar edhe në Çukë të Sarandës, ku argjinatura e lumit Bistrica është çarë gjatë natës. Uji ka vërshuar në fushat përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Raportohet për 5 banesa të përmbytyra në Çukë, ndërsa banorët kërkojnë ndihmë për ushqime e veshje.

Forcat e emergjencave mbërritën rreth mesditës, për të bërë evakuimin e deleve të izoluara dy stalla blegtore në fushën e Çukës. Dëmet janë të mëdha, siç shihet në pamjet me dron që sjell Report TV.
Ndërkohë, lumi Pavllo ka dalë nga shtrati në zonën e quajtur Vilë, duke bllokuar rrugën nacionale. Përmbytje ka dhe edhe në plantacionet e manadrinave në fushat e Konispolit në Çiflik, Shkallë, Mursi.
Në Vlorë, lumi Vjosa ka përmbytur 11 banesa në zonën e Novoselës dhe 3 të tjera në fshatin Fitore.
Edhe në Fier situata është e rënduar. Në fshatrat përgjatë Vjosës, Kashisht, Çerven dhe Ferras, ka prezencë të ujit në tokat bujqësore brenda argjinaturës, ndërkohë që niveli i prurjeve në lumin Seman vijon të rritet. Nën ujë ndodhen ende edhe puset e ujit të pijshëm që furnizojnë stacionin e Kafarajt, duke shtuar rrezikun për furnizimin me ujë të sigurt në zonë.

Në Berat, lumi Osum ka dalë nga shtrati duke bërë që të ketë prezencë uji në pedonalen e qytetit duke rrezikuar bizneset aty pranë. Ekipi i emergjencave po punojnë për të larguar ujin.
Situatë e rëndë paraqitet në fshatrat e Korçës, Maliqit, Devollit dhe Kolonjës ku janë përmbytur toka dhe banesa për shkak të vërshimeve të përrenjve. Raportohet për fshatra të izoluar dhe pa energji. Një grua e moshuar rezulton e zhdukur prej 12 orësh dhe po kërkohet përgjatë përroit ku dyshohet se ka rënë.
Në Pogradec përroi i Vërdovës gjithashtu ka dalë nga shtrati. Disa banesa janë përmbytur teksa janë dëmtuar trotuaret kanalizimet dhe rrjeti elektrik.

Në bashkinë e Dimalit situata paraqitet alarmante kryesisht në lagjen e Dafinave dhe në fshatrat Çiflik dhe Arëz. Efektivë të Regjimentit të Këmbësorisë janë angazhuar në terren për evakuimin e banorëve të cilëve banesat u janë përmbytur.
Reshjet intensive të shiut kanë nxjerrë nga shtrati lumin Osum, duke përmbytur sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore.

Lini një Përgjigje