TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Nëntor 2025, 10:38

Moti i keq, rritet në 1 metër niveli i ujit në Spiten të Lezhës; bllokohen akset rrugore dhe përmbyten banesat

Shkruar nga Pamfleti

Moti i keq, rritet në 1 metër niveli i ujit në Spiten të

Situata e përmbytjeve në qarkun e Lezhës vijon të mbetet e rënduar, teksa nivelet e ujit në zonën e Spitenit janë të larta.

Një prej banorëve të zonës konfirmon se niveli i ujit mbetet rreth 1 metër, duke e bërë të vështirë qarkullimin dhe lëvizjen e banorëve.

Për dy javë me radhë, reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta në të gjithë vendin, por Lezha është ndër qarqet më të goditura. Mijëra hektarë tokë bujqësore ishin përmbytur, gjithashtu një numër banesash dhe rrugësh, duke detyruar disa familje të evakuohen. Po ashtu, në disa zona janë regjistruar rrëshqitje dherash që kanë shtuar rrezikun dhe bllokimin e segmenteve rrugore.

Raportohet për humbje të konsiderueshme të bagëtive, kryesisht shpendë, megjithëse është ende herët për të përllogaritur bilancin final të dëmeve. Banorët thonë se një përmbytje e këtij niveli nuk është parë që prej vitit 2002, ndërsa autoritetet kanë qenë në gatishmëri.

Ndër problemet e ditëve të fundit është edhe dëmtimi i rëndë i asfaltit në aksin Lezhë–Shëngjin, ku janë hapur disa gropa të thella. Kjo ka shkaktuar vështirësi serioze për drejtuesit e automjeteve, përfshirë çarje të gomave dhe rrezik të shtuar për aksidente.

Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile po monitorojnë situatën në terren, ndërsa banorët e zonave të përmbytura kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë dhe zgjidhje afatgjata për problemet e përsëritura të përmbytjeve në qarkun e Lezhës.

 

Lini një Përgjigje