
Gazetari Eni Ferhati hodhi dritë mbi detaje tronditëse të atentatit të ndodhur në Unazën e Madhe në Tiranë, ku pas një breshërie të furishme plumbash ndaj një mjeti tip “G-Class”, mbetën të plagosur katër persona, mes tyre edhe të mitur.
Ferhati e cilësoi sulmin si “brutal dhe të drejtpërdrejtë”, duke theksuar se mund të ishim përballë një masakre në kufi të një akti terrorist, pasi në vendngjarje janë gjetur të paktën 38 gëzhoja.
“Sulmi ka qenë brutal, i drejtpërdrejtë, ku qëllimi i autorëve, që mendohet se janë dy sipas hetimeve paraprake, mund të kishte sjellë një masakër, në kufi të një akti terrorist. Janë gjetur 38 gëzhoja për momentin në vendin e ngjarjes. Ka dyshime se ka qenë një sulm statik dhe më pas ka vijuar për rreth 500 metra”, tha Ferhari i ftuar në emisionin “NOW me Erla Mëhillin”.
Sipas tij, sulmuesit, të maskuar dhe me skafandra, kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të përgatitur. Ata kanë përdorur një motor tip Yamaha 600 kubik, i cili është fiksuar në të paktën 30 lokacione të ndryshme përgjatë tre ditëve para atentatit. Gjurmimi i tyre tregon një itinerar të detajuar në zona rezidenciale të Tiranës, ku besohet se kanë qenë në pritje të objektivit.
“Dy persona të maskuar me skafandra – nuk e di pse policia nuk e shpërndan foton e tyre, as foton e motorëve tip Yamaha – është i fiksuar në 30 destinacione të ndryshme gjatë harkut kohor të tre ditëve deri në momentin e atentatit. Yamaha, 600 kubik, është bërë itinerari; si kanë mbërritur në pikën ku kanë zgjedhur për të pritur objektivin, kanë lëvizur në rrethina të Tiranës, në zona rezidenciale ku ka vila. Shoferi që shoqëronte të miturit ka qenë i armatosur me armë me leje, por ka pasur të pamundur të reagojë ndaj agresorëve”, tha gazetari.
Lini një Përgjigje