Aktualitet29 Shtator 2023, 16:53

Ndahet nga jeta At Artur Liolin, pasardhësi i Fan Nolit në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Ndahet nga jeta At Artur Liolin, pasardhësi i Fan Nolit në krye

Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare at Artur Liolini, Kryekancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë. Liolin njihet si një nga shqiptarët më me ndikim në kishën Orthodokse dhe mbi të gjitha në Boston, ku ka drejtuar Kishën e Shën Gjergjit, të cilën prej shumë vitesh e drejtoi Fan Noli.

Lajmin e hidhur e ka konfirmuar Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila shpreh ngushëllimet e ndjera familjes së tij.

“Një humbje e madhe për familjen, për kishën ku shërbente dhe për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë. At Arturi ishte nxënës i Imzot Theofan Nolit dhe vazhdoi me përkushtim veprën e tij”, thuhet në njoftimin e Kishës.

Kush ishte at Artur Evans Liolini?

Artur Evans Liolini lindi më 19 qershor 1943 në Nju Jork, në një familje me origjinë nga Boboshtica e Korçës. Ai u martua me priftëreshën Margarita me të cilën ka tre fëmijë. Studimet e larta i kreu në vitin 1967 për Histori Arti në Universitetin Princeton.

Gjithashtu, ka studiuar në Institutin “Albert Schveitzer” në Zvicër në programin: “Kriza në Qytetërimin Perëndimor,” ku përfshihen një sërë hulumtimesh ekonomike, kulturore, historike dhe filozofike. At Arturi ka shkruar mjaft artikuj rreth çështjes shqiptare në gazetën “Dielli,” dhe më tej nëpër revista te ndryshme si “Liria”, Illyria”, “Koha Jonë” etj.

Në vitin 1970 u dorëzua prift në Boston dhe i shërbeu komunitetit shqiptar në kryekishën e Shën Gjergjit. Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë, të cilës i shërbeu derisa ndërroi jetë. Gjatë shërbimit të tij, atë Arturi gjallëroi jetën shpirtërore dhe veprimtaritë e komunitetit orthodhoks shqiptar.

At Arturi ka bërë disa vizita në Shqipëri, duke qenë dashamirës i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ka mbështetur veprën e ringritjes së saj nga gërmadhat e regjimit ateist. Në vitin 2010 ai mirëpriti në Boston Kryepiskopin Anastas, me rastin e 100-vjetorit të Kryedioqezës Shqiptare.

at artur liolin nderron jete pasardhes fan noli