Aktualitet29 Shtator 2023, 11:06

KLP hap garën për tre vendet vakante në SPAK

Shkruar nga Pamfleti

KLP hap garën për tre vendet vakante në SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh në seancë plenare këtë të premte për të miratuar shpalljen vakante të tre vendeve të SPAK.

“KLP shpall tre vende vakante për ngritjen në karrierë për prokurorët pranë Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion”, u shpreh kreu i KLP-së, Alfred Balla.

Shkak për vonesën në hapjen e garës, sipas Ballës, u bë harta e re gjyqësore.

Kujtojmë se Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka hapur rrugën garës për plotësimin e tre vendeve vakante për prokuror, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas njoftimit të publikuar nga KLP, mësohet se Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar rregulloren e re për zgjedhjen e prokurorëve në këtë strukturë nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë.

Komisioni i Zhvillimit të Karrierës i drejtuar nga Alfred Balla dhe me anëtarë Bujar Sheshi dhe Eloida Goxhi mori të martën pasdite vendimin për të propozuar hapjen e garës. 

Sipas vendimit, nëse do të miratohet propozimi i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës pranë KLP-së, numri i prokurorëve pranë SPAK pas disa muajsh do të arrijë në 20.

Prokuroria e Posaçme u ngrit pas ndryshimeve ligjore të vitit 2017, si një strukturë e posaçme e organit të akuzës me qëllim hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe të krimit të organizuar.

klp spak vende vakante