TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Qershor 2025, 19:40

Në nisje të sezonit turistik, IKMT nis prishjet në Jug; banorët në protestë: Maskarenjtë po na heqin bukën e fëmijëve

Shkruar nga Pamfleti

Në nisje të sezonit turistik, IKMT nis prishjet në Jug;

Prej mbrëmjes së djeshme, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur një aksion agresiv për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdetin e jugut, në një kohë kur pritet pikërisht fluksi i turistëve.

Në Jalë, të dielën në darkë u shembën katër objekte, ndërsa sot aksioni është zhvendosur në Dhërmi, ku janë duke u prishur pesë ndërtime të tjera. Banorët dhe pronarët e bizneseve kanë reaguar me revoltë, duke akuzuar IKMT-në dhe Policinë për veprim të njëanshëm, pa paralajmërim dhe pa transparencë ligjore.

“Po na heqin bukën e fëmijëve nga goja, maskarenjtë,” dëgjohet një prej pronarëve të bizneseve të prekura. “Sa jemi furnizuar për këtë sezon. Nuk na kanë lajmëruar fare,” shton një tjetër.

“Na erdhën pa njoftuar, në kulmin e sezonit duan të na prishin. Është hera e dytë, nuk e kuptoj këtë situatë”, tha një biznesmen.

“Erdhën pa vendim, ndërkohë që ne presim turistë. Kemi bërë investime, kemi punësuar njerëz. Po na detyrojnë të falimentojmë,” dëshmon një tjetër.

Operacioni është shoqëruar me praninë e forcave të shumta policore, ndërsa në terren nuk është bërë ende publik ndonjë vendim i formës së prerë për prishjen e objekteve.

Ndërkohë, IKMT ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për kriteret dhe legjitimitetin e këtij operacioni në prag të sezonit turistik, duke ngritur dyshime të forta për selektivitet dhe qëllime të tjera pas prishjeve të befasishme.

Lini një Përgjigje