OSAC, struktura e sigurisë e Departamentit Amerikan të Shtetit, paralajmëron qytetarët amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve në Shqipëri. Në raportin e siguruar ekskluzivisht nga "Pamfleti", përmendet edhe "Revolucioni Flamingo"...
Uashingtoni ka udhëzuar qytetarët amerikanë të bëjnë kujdes gjatë udhëtimeve në Shqipëri.
Këshilli Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit (OSAC), strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit ka publikuar sot një raport mbi sigurinë në Shqipëri, i cili është mjaft goditës.
Raporti i siguruar nga 'Pamfleti', shoqëron paralajmërimin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit për udhëtimet në Shqipëri, ku qytetarëve amerikanë u kërkohet të ushtrojnë kujdes të shtuar për shkak të kriminalitetit. Në vlerësimin e OSAC, Tirana konsiderohet një zonë me nivel mesatar rreziku për krimin që prek apo mund të ndikojë interesat e qeverisë amerikane.
Një nga elementët më domethënës të raportit është fakti se Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur për Shqipërinë indikatorin "Crime C", i cili përdoret për vendet ku ekziston prani e konsiderueshme e krimit të organizuar apo e krimit të dhunshëm, ose kur autoritetet vendase mund të kenë kapacitete të kufizuara për t'iu përgjigjur krimeve të rënda.
Kriminaliteti u rrit me 17% brenda një viti
Raporti evidenton se gjatë vitit 2025 kriminaliteti në Shqipëri është rritur me rreth 17% krahasuar me vitin 2024.
Sipas analizës së OSAC, rritja është nxitur kryesisht nga zgjerimi i krimeve të lidhura me narkotikët, mashtrimet financiare dhe veprat penale që lidhen me armët.
Edhe pse krimet ndaj pronës kanë shënuar vetëm një rritje të lehtë, rreth 3%, dokumenti thekson se grabitjet kanë rënë me 21%, ndërsa vrasjet kanë vijuar trendin rënës për të pestin vit radhazi, duke u ulur me rreth 3%.
Megjithatë, sipas ekspertëve amerikanë, kjo nuk do të thotë se situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm, pasi kriminaliteti në Shqipëri po zhvendoset drejt formave më pak të dukshme, por me ndikim më të madh ekonomik dhe institucional.
Shqipëria, bazë e rrjeteve të krimit të organizuar
Pjesa më kritike e raportit lidhet me krimin e organizuar. Sipas OSAC, Shqipëria vazhdon të jetë vend ku veprojnë organizata kriminale me shtrirje të gjerë, të përfshira në trafik ndërkombëtar droge, zhvatje, ryshfet, pastrim parash, prostitucion dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Raporti nënvizon se këto organizata vazhdojnë të kenë ndikim të konsiderueshëm në vend.
Një tjetër element shqetësues lidhet me trafikun e armëve. Sipas raportit amerikan, një pjesë e konsiderueshme e armëve ilegale dhe eksplozivëve që qarkullojnë në Evropë kanë origjinën ose kalojnë tranzit përmes territorit shqiptar.
Për këtë arsye, autoritetet shqiptare kanë zhvendosur fokusin drejt goditjes së rrjeteve të trafikut të armëve, të cilat konsiderohen një kërcënim serioz edhe për sigurinë rajonale.
Paralajmërim edhe për shpërthimet me eksploziv
Raporti përmend gjithashtu përdorimin e mjeteve shpërthyese artizanale (IED), të cilat janë përdorur në Shqipëri për të goditur individë të përfshirë në konflikte apo përplasje kriminale.
OSAC u rekomandon qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të veçantë gjatë parkimit të automjeteve, sidomos në ambiente të pambikëqyrura, të shmangin lënien e makinave gjatë natës në zona të pasigurta dhe të njoftojnë menjëherë Policinë e Shtetit nëse konstatojnë objekte të dyshimta.
Raporti thekson se komuniteti amerikan në Shqipëri nuk është objektiv i drejtpërdrejtë i këtyre sulmeve, por mund të rrezikohet rastësisht për shkak të afërsisë me vendngjarjen.
Katër lokale ku diplomatët amerikanë nuk lejohen të shkojnë
Një pjesë e veçantë e raportit i kushtohet ambienteve që konsiderohen problematike nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Për arsye sigurie, për shkak të mundësisë së dhunës hakmarrëse, praktikave të padrejta të biznesit apo shqetësimeve të tjera për sigurinë, personeli i Ambasadës së SHBA-së e ka të ndaluar të frekuentojë katër ambiente në Shqipëri.
Në listën e ambienteve "off limits" përfshihen: Juvenilja, Juvenilja Castle, Pastiçeri Venezia, Magic Club
Raporti nuk jep detaje të mëtejshme mbi arsyet konkrete që kanë çuar në këtë vendim, por sqaron se masa është marrë si një paraprak sigurie për personelin diplomatik amerikan.
Alarm edhe për terrorizmin
Përveç kriminalitetit, raporti trajton edhe kërcënimet terroriste. Departamenti Amerikan i Shtetit e konsideron Tiranën një zonë me nivel mesatar rreziku edhe për terrorizmin.
Megjithatë, OSAC thekson se Shqipëria nuk ka regjistruar asnjë sulm terrorist të suksesshëm gjatë dhjetë viteve të fundit.
Sipas raportit, rreziku kryesor nuk lidhet me sulme të drejtpërdrejta brenda territorit shqiptar, por me përdorimin e Shqipërisë si vend tranziti ose burim financimi dhe logjistike për grupe terroriste.
Një tjetër shqetësim mbetet radikalizimi i personave të kthyer nga Siria, të cilët, sipas raportit, mund të kenë krijuar lidhje më të forta me organizata terroriste dhe të kenë fituar aftësi ushtarake gjatë qëndrimit në zonat e konfliktit.
Raporti ndalet edhe te kërcënimet iraniane ndaj kampit të opozitës iraniane MEK në Manzë.
OSAC kujton se në vitin 2018 autoritetet arrestuan anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të dyshuar për planifikimin e një sulmi ndaj kampit të MEK-ut.
Protestat
Raporti përmend edhe protestat e ditëve të fundit dhe ato të kaluarat: "Pas zgjedhjeve të vitit 2025, grupet politike të opozitës u angazhuan në protesta të rëndësishme antiqeveritare në të gjithë Tiranën. Marshime të mëdha bllokuan bulevardin Dëshmorët e Kombit të Tiranës dhe disa demonstrata përfshinë përdorimin e koktejeve Molotov dhe piroteknikëve të tjerë. Grupet qytetare gjithashtu kryen protesta ulur në zyrat qeveritare, disa prej të cilave zgjatën mbi 100 ditë.
Në vitin 2026, protesta të mëdha kishin në shënjestër një projekt turistik luksoz në ishullin e Sazanit. Tubimet filluan si demonstrata lokale mjedisore, por kur policia i shpërndau këto tubime, mijëra shqiptarë dolën në rrugë në qytetet kryesore. Protestat u rritën duke përfshirë thirrje kundër korrupsionit qeveritar dhe disa prej tyre u bënë të dhunshme".
Fakti që përmenden protestat e fundit, tregon se “Revolucioni Flamingo” po ndiqet me vëmendje dhe në Uashington. /Pamfleti
Lini një Përgjigje