
Falë “Sky Ecc”, SPAK ka zbardhur vrasje dhe krime të shumta që kanë ndodhur deri në 3 vite më parë, por për periudhën 2022-2024 nuk ka biseda. Ndërkohë në këtë periudhë ka pasur shumë ngjarje të mëdha kriminale dhe pritet të zbardhen nga zbërthimi i “Matrix”...
Politika, drejtësia dhe bota e krimit janë vënë në alarm nga zbërthimi i aplikacionit “Matrix”. Europol bëri me dije në fillim të javës se ata kanë arritur të sigurojnë 2.3 milionë mesazhe në këtë platformë, e cila është përdorur në 33 gjuhë të ndryshme, mes të cilave edhe gjuha shqipe.
Bëhet fjalë për një aplikacion të komplikuar, i cili presupozohej të ishte i sigurt. Por policia holandeze, ajo franceze dhe Europol kanë rënë në gjurmët e serverave të aplikacionit dhe i kanë sekuestruar duke bërë rikuperim të mesazheve. Në Shqipëri, ndër të parët që e pranoi se e përdorte ishte Nuredin Dumani, i cili tha se aty merrte porosi për vrasje. Po ashtu përmendi edhe Suel Çelën.
Pra, në vendin tonë ky aplikacion është përdorur masivisht dhe në momentin që do të dalin bisedat, mund të kemi tërmet në politikë, drejtësi dhe botën e krimit. Madje ky tërmet mund të jetë shumë herë më i fortë se ai që ka shkaktuar “Sky Ecc”.
Arsyeja është e thjeshtë. Bisedat në “Sky Ecc” janë zhvilluar deri në vitin 2021. Pas kësaj periudhe ka një terr informativ. Pra, falë “Sky Ecc”, SPAK ka zbardhur vrasje e krime të shumta që kanë ndodhur deri në 3 vite më parë, por për periudhën 2022-2024 nuk ka biseda. Ndërkohë në këtë periudhë ka pasur shumë ngjarje të mëdha kriminale. Atentatet gjatë viteve 2022-2023 kanë shkundur nga themelet vendin. Që nga vrasja e Brilant Martinajt, e deri te zhdukja e Vis Martinajt.
Shumë grupe kriminale, pas mbylljes së “Sky Ecc”, kaluan te “Matrix” dhe pazaret për vrasje, trafiqe kanë vijuar aty. “Matrix” ka qenë funksional deri më tani dhe çdo gjë që është komunikuar aty, përfshirë video, audio dhe foto, do të dalë. Pritet që të ndiqet e njëjta procedurë si me "Sky Ecc", ku SPAK do të vendosë kontakt me autoritet homologe dhe Europolin, për të marrë dosjet ku flitet shqip.
Por sinjalet janë se do të kemi edhe aty emra politikanësh, policësh, gjyqtarësh dhe prokurorësh. Madje që kur ka nisur punën SPAK, shumë pushtetarë nuk flasin më në "WhatssApp" apo “Mesenger”. Të gjithë përdorin aplikacione të kriptuara nga frika se përgjohen, mes tyre dhe “Matrix”. Pra falë aksionit të Europol, do të zbardhen shumë ngjarje kriminale që kanë ndodhur në 3 vitet e fundit dhe mund të dalin shumë emra, si të krimit ashtu dhe politikës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje