Qytetarët mblidhen në Sheshin Skënderbej për marshimin drejt Kryeministrisë. Nga kauza për Zvërnecin, lëvizja është kthyer në një revoltë të hapur kundër qeverisë së Edi Ramës.
Revolucioni Flamingo hyn sot në ditën e shtatë të protestave, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit presin tubimin më të madh që nga nisja e lëvizjes një javë më parë. Qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit kanë nisur të mblidhen në Sheshin Skënderbej, prej nga pritet të niset marshimi drejt Kryeministrisë.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit të diskutueshëm në Zvërnec është shndërruar tashmë në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë. Në pankartat e protestuesve dominojnë mesazhe si “Rama ik”, “Rama dorëhiqu”, “Atdheu nuk shitet”, ndërsa nuk mungojnë as thirrjet kundër gjithë klasës politike me sloganet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Sipas organizatorëve, protesta nuk është më vetëm për Zvërnecin. Ajo përfaqëson zemërimin e akumuluar prej vitesh ndaj asaj që qytetarët e konsiderojnë si arrogancë të pushtetit, vendimmarrje pa konsultim publik dhe favorizim të interesave të një pakice në dëm të interesit publik.
Protestuesit kanë dorëzuar pesë kërkesa, ku e para dhe më e rëndësishmja mbetet largimi i qeverisë së Edi Ramës. Sipas tyre, Shqipëria po përballet me një krizë përfaqësimi dhe besimi, ndërsa kauza e Zvërnecit ishte vetëm shkëndija që ndezi revoltën.
Përgjatë javës, protestat janë shtrirë në disa qytete të vendit, ndërsa kanë gjetur mbështetje të fortë edhe te diaspora shqiptare. Tubime të ngjashme janë zhvilluar në Londër, Berlin, Mynih, Milano, Vjenë dhe qytete të tjera evropiane, ku shqiptarët kanë dalë në rrugë me të njëjtat mesazhe dhe kërkesa.
Me pjesëmarrjen që pritet të shtohet në orët në vijim, organizatorët synojnë që protesta e sotme të shënojë kulmin e asaj që ata e kanë pagëzuar tashmë si “Revolucioni Flamingo”, një lëvizje që sipas tyre ka dalë përtej kufijve të një kauze lokale dhe po kërkon ndryshim politik në Shqipëri.
Lini një Përgjigje