Analisti dhe gazetari Lavdrim Lita ka komentuar paralajmërimin e Ambasadës amerikane për rrezikun nga grupe të lidhura me Iranin në Shqipëri, duke theksuar se situata është serioze, por nuk ka rrezik të menjëhershëm për qytetarët.
Sipas tij, kërkohet vigjilencë dhe Antiterrori është në gatishmëri, me kontrolle të vazhdueshme në vendet ku mund të ketë elementë që kanë zhvilluar komunikime me regjimin iranian.
Ai tha se paralajmërimi i ambasadës nuk duhet interpretuar si panik, por si një mesazh për vigjilencë të shtuar, veçanërisht në qendrat turistike, tregtare dhe hotelet e kryeqytetit. Lita tha se prezenca e forcave speciale amerikane dhe e shërbimeve të sigurisë në pikat kyçe tregon seriozitetin e alarmit.
“Situata është serioze, por nuk ka nevojë për panik. Rreziku nuk është eminent, pra nuk është pas derës. Kërkohet vigjilencë dhe antiterrori është në gatishmëri. Po zhvillohen kontrolle në vendet ku mund të ketë elementë që kanë pasur komunikime me regjimin iranian. Javët e fundit kemi parë shumë elementë të forcave speciale amerikane në Tiranë. Ata janë të pranishëm në pikat kyçe si hotelet, baret dhe qendrat nevralgjike. Kjo nuk tregon një rrezik të drejtpërdrejtë, por një masë vigjilence të lartë nga ana e autoriteteve amerikane,” tha Lita.
Ai gjithashtu kujtoi se Shqipëria ka përjetuar në të kaluarën tentativa të sulmeve klandestine ndaj elementëve të opozitës iraniane, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në dhe respektimin e klauzolave të marrëveshjeve të sigurisë.
“Opozita iraniane në Shqipëri është objektiv legjitim për regjimin iranian, dhe për këtë arsye vendi ynë duhet të mbetet vigjilent,” tha Lita në “Euronews Albania”.
Paralajmërimi i ambasadës amerikane, sipas analistit, është një masë e standardizuar për qytetarët amerikanë dhe nuk duhet të keqinterpretohet si një kërcënim i menjëhershëm për Shqipërinë.
Lini një Përgjigje