
Është zhvilluar me tensione dhe debate seanca e sotme plenare mes opozitës dhe mazhorancës.
Studentët e Mjekësisë kanë pritur me thirrje deputetët e maxhorancës teksa kanë lënë seancën plenare.
“Turp, turp!” dhe “Parlamenti i turpit” ishin disa nga thirrjet e tyre.
Teksa presin prej orësh jashtë parlamentit, pasi duan të dëgjohet zëri i tyre në një ditë kur është planifikuar të kalojë në seancë projektligji që i detyron të punojnë për 5 vite në Shqipëri pas studimeve duke iu mbajtur diplomën, studentët kanë hedhur thirrje dhe ovacione ndaj deputetëve.
Kujtojmë se ditën e sotme Parlamenti po zhvillon seancën e fundit plenare ku në rendin e ditës janë parashikuar për diskutim dhe votim disa projektligje.
Ndër më të rëndësishmet janë projektligji për studentët e Mjekësisë dhe kanabisi për qëllime mjekësore.
Sipas projektligjit, studentët e Mjekësisë pas përfundimit të studimeve do të duhet të punojnë në vend për 5 vite në mënyrë që të marrin diplomën. Sipas qeverisë, kjo bëhet për të frenuar largimin nga Shqipëria të mjekëve të rinj. Një pjesë e studentëve e kundërshtojnë këtë nismë.
Edhe opozita e kundërshton si projektligjin për Mjekësinë, ashtu dhe atë për kanabisin mjekësor.
Sipas pr/ligjit studentëve aplikantë në Mjekësi, por dhe ata që janë në vijim të studimeve u ofrohet mundësia të firmosë një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 2 – 5 vjeçare pas diplomimit.
Nëse ata pranojnë ta firmosin marrëveshjen do të përjashtohen nga tarifat e shkollimit gjatë gjithë studimit gjithashtu do të kenë dhe disa përfitime të tjera sociale.
Lini një Përgjigje