Aktualitet18 Shkurt 2024, 13:41

Pas vizitës së Blinken, BKH fiton pavarësinë e plotë në hetimin e dosjeve; SPAK nuk do t’u ndërhyjë

Shkruar nga Pamfleti
Pas vizitës së Blinken, BKH fiton pavarësinë e plotë
Hajnaj dhe Dumani /

Mbikëqyrësit e FBI, kanë raportuar te Linja Shtetërore Amerikane që ka krijuar SPAK-un dhe te eprorët në SHBA, se në disa dosje për figura të fuqishme të politikës, pushtetit e botës së krimit në Shqipëri, prokurorët e SPAK, kanë zbehur, minimizuar e kanë lënë jashtë trajtimit, ata dhe prova përcaktuese korrupsioni e krimesh të tyre...

Një ndër “zgjidhjet” e padukshme, që Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, realizoi gjatë vizitës në Shqipëri, në lidhje me efiçencën e drejtësisë së re, ishte kufizimi i veprimeve të SPAK, në raport me Byronë Kombëtare të Hetimit.

Vërtetë që Byroja Kombëtare e Hetimit, është strukturë në vartësi administrative para-vepruese e SPAK-ut, por ligjërisht, detyrat e tyre janë të ndara: BKH bën hetimin, ndërsa SPAK ndërton, ngre dhe përfaqëson akuzën në gjykatë, tamam si OPGJ-të me Prokurorët.

Gjatë 4 viteve aktivitet të SPAK e BKH, ekspertët e FBI të atashuar në këto institucione me rolin e mbikëqyrësit, kanë konstatuar, se prokurorët e SPAK, ndikojnë në hetimet e pavarura të hetuesve të BKH, por dhe ndërhyjnë me veprime klienteliste në raportet e dorëzuara prej tyre.

Mbikëqyrësit e FBI, kanë raportuar te Linja Shtetërore Amerikane që ka krijuar SPAK-un dhe te eprorët në SHBA, se në disa dosje për figura të fuqishme të politikës, pushtetit e botës së krimit në Shqipëri, prokurorët e SPAK, kanë zbehur, minimizuar e kanë lënë jashtë trajtimit, ata dhe prova përcaktuese korrupsioni e krimesh të tyre.

Në shumë çështje hetimore, është konstatuar se hetuesit e BKH, kanë dorëzuar prova të plota për zyrtarë të korruptuar, të lidhur me krimin edhe për persona e grupe të botës së krimit, por prokurorët e SPAK kanë shmangur provat.

Sipas mbikëqyrësve të FBI, një nga problematikat mes hetimit dhe provave që çohen për gjykim, është orientimi ndikues i prokurorëve të SPAK te hetuesit e BKH, duke i diktuar se cilët persona e prova duhet të hetojnë; madje u kërkojnë edhe çfarë të raportojnë në materialet që dorëzojnë, që de facto janë urdhra për të fshehur provat.

Në informacionin që ka siguruar “Pamfleti”, thuhet se pas takimit “10 minutësh” të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me kreun e SPAK, Altin Dumani, hetuesit e BKH kanë fituar pavarësi të plotë veprimi jashtë ndikimit dhe tutelës së prokurorëve të SPAK.

Pavarësisht, se BKH është strukturë në vartësi të SPAK-ut; menjëherë pas largimit të sekretarit Blinken; secila prej tyre do kryejë detyrën e vet, në zbatim të këtij “Udhëzimi Amerikan”, që përputhet me Aneksin e Kushtetutës për drejtësinë e re, me ligjin për funksionimin e SPAK e BKH dhe me Kodin e Procedurës Penale.

Sipas detyrës që la sekretari Blinken, Prokurorët e SPAK nuk duhet të ndërhyjnë në kompetencat dhe punën e hetuesve të BKH, lidhur me hetimet për individët e provat.

Po kështu, nuk duhet të prekin provat e të heqin nga dosjet persona të përfshirë në krime; siç kanë vepruar me Engjëll Agaçin, Erjon Veliajn, Ilir Beqajn, Ogerta Manastirliun, Vilma Nushin etj.; por duhet të paraqesin në gjykatë çdo person e provë që dorëzojnë hetuesit e BKH.

Fakti, që në takimin me sekretarin Antony Blinken, ishte dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, lidhet me konstatimin, që në ILD janë bërë shumë denoncime, për ndërhyrjet klienteliste  të prokurorëve SPAK te hetimet e BKH, por nuk ka patuar asnjë reagim prej tij.

Ndërsa prezenca e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ishte mesazh i SHBA, për paprekshmërinë e tyre, si institucione sipërore të drejtësisë, ku “peshqit e mëdhenj” do paraqiten për t’i shpëtuar burgut./Pamfleti

blinken bkh spak përplasja