TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shkurt 2024, 18:30

Plani i dështuar i Berishës për të trashëguar partinë dhe lufta e re brenda opozitës!

Shkruar nga Pamfleti

Plani i dështuar i Berishës për të trashëguar

Me arrestimin e ish-kryeministrit dhe me frikën se ky i fundit mund t’ia trashëgonte të bijës partinë së bashku me elektoratin që e mbështet, gjërat brenda kampit opozitar ndryshuan me shpejtësi!

Futja e ish kryeministrit Sali Berisha në arrest shtëpie, ka rindezur luftën brenda grupimeve të PD-së për të marrë drejtimin dhe mbështetjen e demokratëve të cilët mbështesin ish kryeministrin. Por jo vetëm kaq edhe faktorë të tjerë opozitarë janë hedhur në sulm për të shkëputur sadopak nga mbështetësit e Berishës, duke përfituar këtu nga izolimi i këtij të fundit.

Kjo lëvizje shihet qartë, duke nisur nga Gazment Bardhi te Ervin Salianji, Ilir Meta dhe Lulzim Basha. Ndonëse deri para dy muajsh rrallë kush prej tyre fliste nën zë që Berisha nuk është zgjidhja, me arrestimin e ish-kryeministrit dhe me frikën se ky i fundit mund t’ia trashëgonte të bijës partinë së bashku me elektoratin që e mbështet, gjërat brenda kampit opozitar ndryshuan me shpejtësi. Madje këtë javë, zërat kundër Berishës u shtuan brenda kampit opozitar.

Sinjalet i dha i pari aleati Ilir Meta i cili pasi nuhati se arresti i Berishës mund të zgjasë përtej zgjedhjeve të ardhshme, shpeshtoi shfaqjet në publik për të paraqitur veten si njeriun e denjë për të drejtuar kampin opozitar.

Madje në një nga daljet e tij, ai përshkroi dhe tiparet të cilat duhet të ketë lideri i opozitës; një njeri që bashkon palët, patriot dhe që ka marrëdhënie të mira me ndërkombëtarët. Deklaratë kjo e cila nënkuptoi se Berisha nuk është më personi i duhur për të udhëhequr opozitën, pasi është non-grata.

Nga ana tjetër është ai që ka shfaqur ambicie që nga fillimi i konfliktit në PD, Gazment Bardhi. Ky i fundit e ka bërë të qartë se nuk është për Berishën kryetarë, por nga ana tjetër ka bashkëpunuar me të pasi i mbeti i vetmi opsion pas prishjes së marrëdhënies më Lulzim Bashën.

Ndryshe nga Ilir Meta, Bardhi këtë javë është munduar të përdorë kartën e ndërkombëtarëve për të konsoliduar imazhin e tij para demokratëve si personi që mbështetet nga amerikanët. Kjo gjë u vu re qartë nga promovimi që ai i bëri vizitës së tij në SHBA, si pjesë e delegacionit shqiptar që patën një takim me Gabriel Escobar. Foto me senatorë, falenderime për mbështetjen dhe partneritetin e SHBA me Shqipërinë. Të gjitha këto vetëm e vetëm për të paraqitur veten si “opsioni” i amerikanëve.

Një tjetër personazh i cili deri para arrestimit të Berishës ishte zhdukur nga jeta publike dhe politike është Lulzim Basha, i cili ka nisur tashmë fushatën për mbledhjen e votave. Me PD zyrtare që ai drejton të shkatërruar, burgosja e Berishës është parë prej tij si një mundësi për të rrëmbyer disa nga mbështetësit e ish kryeministrit, të cilët në pamundësi për tu drejtuar nga “lideri i tyre historik”, me të drejtë mund t’ju duket e udhës që të paktën të “struken” te PD-ja.

I fshehtë në hapat që hedh dhe me një strategji loje ndryshe nga të tjerët edhe Ervin Salianji është një nga personat që ka ambicie për të qenë lider i opozitës. Ai po bën të njëjtën lojë si kolegu i tij Gazmend Bardhi, por duke qëndruar në front të dytë. Salianji i ka lënë të gjitha luftërat brenda llojit në dorë të Bardhit, me qëllim që figurat e këtij të fundit të sfumohet në sytë e demokratëve.

Me këtë taktikë ai do të mund të heqë qafe një pretendent si Bardhi nga gara për kreun e PD-së, por nga ana tjetër duke ndenjur në front të dytë të luftës brenda opozitës, ai i lë hapësirë vetes për të manovruar dhe lëvizur në varësi të situatave në të cilat mund ndodhet grupi në të cilin ai bën pjesë. Nuk do të ishte çudi që në një të ardhme të afërt ta rishohim atë përkrah Lulzim Bashës, nëse grupimi i Berishës zhbëhet përfundimisht.

Ende pa marrë zgjidhje konfliktet e dy viteve të fundit që copëzuan Partinë Demokratike, në kampin opozitar ka nisur një luftë e re për të “copëzuar” Berishën./Pamfleti

berisha opozita lufta

Lini një Përgjigje