Liria e Sanxhaktarit fundos amnistinë e qeverisë dhe rrëzon retorikën e Toni Gogut...
Kur Kuvendi miratoi amnistinë penale, ministri i Drejtësisë Toni Gogu garantoi se askush që përbënte rrezik për shoqërinë nuk do të përfitonte. Ai e paraqiti ligjin si një mekanizëm që do të ndante të dënuarit që kishin përmbushur qëllimin e dënimit nga ata që vijonin të ishin të rrezikshëm.
Por sot mund të thuhet me plot gojë që amnistia është përdorur për të nxjerrë nga qelia personazhe të rrezikshëm të botës së krimit. Dje dolën nga qelia mbi 300 persona të dënuar për krime të lehta, mirëpo emri i personazhit kyç që u lirua u mbajt i fshehtë.
Sipas burimeve, nga burgu i Reçit është liruar Sokol Sanxhaktari, i dënuar për vrasje, një personazh i njohur prej vitesh për përplasjet me drejtësinë dhe i përmendur vazhdimisht në kronikën kriminale të Elbasanit.
Sanxhaktari është liruar nga qelia pasi ka përfituar ulje dënimi nga amnistia penale e kësaj qeverie. Ai ishte dënuar me 15 vite burg për vrasjen e Florian Lamçes, dënim që pas gjykimit të shkurtuar u ul në 10 vite burg.
Në prezantimin e ligjit, ministri Toni Gogu deklaronte se nga amnistia nuk do të përfitonin persona të lidhur me krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin, trafikun, pastrimin e parave apo vepra të tjera me rrezikshmëri të lartë, duke theksuar se: "Ky nuk është ligj për të harruar krimin. Është ligj për të dalluar, me saktësi juridike dhe me përgjegjësi shoqërore, mes atij që vazhdon të përbëjë rrezik për shoqërinë dhe atij për të cilin shteti vlerëson se qëllimi i dënimit është arritur."
Megjithatë, lirimi i Sanxhaktarit e njollos amnistinë, pasi bëhet fjalë për një emër që historia e tij me drejtësinë nuk nis me vrasjen e Florian Lamçes.
Dosja penale e tij shtrihet prej më shumë se një dekade. Në vitin 2008 u dënua për kundërshtim të forcave të rendit. Në vitin 2010 mori tre vite burg për plagosje dhe armëmbajtje pa leje. Më pas u hetua për plagosjen e Miklajd Llatjas dhe Erion Kardhoshit, procedim që u pushua pasi dëshmitarët tërhoqën deklarimet.
Një nga episodet më të njohura lidhet me marsin e vitit 2011, kur policia tentoi arrestimin e tij pranë lokalit "Shtëpia e Artit Sejko" në Elbasan. Në atë moment Sanxhaktari ndodhej së bashku me personazhe të tjerë të botës së krimit. Operacioni degjeneroi në përplasje fizike, ndërsa Sanxhaktari arriti të largohej dhe qëndroi në arrati për rreth gjashtë muaj.
Në fund, ai u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje, ndërsa akuzat për kundërshtim të policisë ranë në gjykatë.
Ngjarja për të cilën ai u dënua me burg ndodhi në korrik të vitit 2020. Fillimisht u tha se gjatë një konflikti në një lokal në Elbasan, Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari goditën Florian Lamçen me shishe, karrige dhe sende të forta, duke i shkaktuar plagë që rezultuan fatale.
Por, sipas dosjes gjyqësore dhe përgjimeve ambientale, Lamçe u torturua deri në vdekje nga Sanxhaktari, pasi dyshohej se kishte vjedhur 10 milionë euro nga "Rozafa City", të oligarkut Gjergj Luca. Madje, flitet se Luca i kishte premtuar Sanxhaktarit gjysmën e shumës nëse ai i gjente dhe kthente paratë. Por, teksa Gjergj Luca nuk u hetua kurrë, tani del nga qelia edhe Sanxhaktari.
Përtej dosjeve penale, Sanxhaktari ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes edhe për shkak të lidhjes familjare me ish-kryebashkiakun socialist të Elbasanit, Qazim Sejdini, pasi është dhëndri i tij.
Sipas të dhënave, ai ishte i 123-ti në listën e përfituesve të amnistisë. Më herët kishte përfituar edhe 90 ditë ulje dënimi, ndërsa kërkesa e tij për lirim me kusht ishte rrëzuar nga gjykata.
Lirimi i tij rikthen në qendër të debatit pikërisht pyetjen që shoqëroi miratimin e amnistisë penale: a po zbatohet ligji vetëm për persona me rrezikshmëri të ulët, siç premtoi qeveria, apo në listën e përfituesve po përfshihen edhe emra me histori të gjatë kriminale dhe të dënuar për krime të rënda, si vrasja? /Pamfleti
Turp per Minstrin pastor Toni Gogu. Po skane faj se kur nuk i denon Gjykata jane gjyqtaret e korruptuar thote Zoni me shoke. Po kur i lironi ji shoku Toni me amnisti jeni junte korruptuar? Prite kur te shkoi ky qe doli re vrase ndonje gjyqtar qe e denoi dhe te ledhatoje shokun Toni dhe duke e dorovitur per sebepin. Turp e faqjane zeze
Si mundet qe nje brases denohet vetem 15 vjet??? Rruafshin Rama, Ulsiu, Toni e te tjere bandite me kollare. I zenshin hakat a familjeve te viktimave aty ku u dhemb me shume.