
Pas marshimit nga sheshi "Skënderbej" drejt Kryeministrisë, protestuesit u ndalën përpara godinës së qeverisë, ku nisën fjalimet në ditën e 47-të të protestës qytetare.
I pari që mori fjalën ishte aktivisti Edison Lika, i cili theksoi se lëvizja nuk ka një drejtues apo përfaqësi politike dhe se përfaqësuesit e saj janë vetë qytetarët që marrin pjesë në protestë.
"Kjo lëvizje as nuk mund të bëhet pis, as të preket nga askush. Ndaj i themi çdokujt që tenton të përfaqësojë këtë lëvizje se nuk do ja dalë dot! Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje janë të gjithë këta që janë në shesh! Kjo lëvizje nuk ka përfaqësi, por prani fizike në shesh! Kjo lëvizje nuk do futet kurrë në negociata sepse kërkesat i ka të qarta. Nuk kemi për të negociuar me askënd", deklaroi Lika.
Aktivisti ritheksoi se kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme të hetojë kreun e qeverisë.
"Pika e parë e kësaj proteste është ajo që kemi kërkuar prej ditës së parë dhe është dorëheqja e Ramës! Ne kërkojmë nga SPAK hetimin e Edi Ramës si koka kriminale e këtij sistemi të korruptuar!", u shpreh Lika mes brohoritjeve të protestuesve.
Lini një Përgjigje