Koordinatori i protestës: Nga sulmi ndaj lëvizjes kaloi te biografitë e qytetarëve. Kjo tregon dëshpërimin e qeverisë
Një prej koordinatorëve të protestës qytetare, Edison Lika, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tenton të ndikojë te protesta, duke kaluar nga sulmet ndaj lëvizjes te sulmet personale ndaj protestuesve.
I ftuar në podkastin "Të Pashoq" të Pamfletit, Lika tha se qeveria nuk ka mundur ta etiketojë protestën si një aksion partiak, ndaj sipas tij ka zgjedhur të merret me individë të veçantë.
"Qeveria ka pasur problem me këtë protestë, sepse nuk ka ditur si ta sulmojë. Nëse do të ishte një protestë e zakonshme e opozitës, do ta kishte shumë të lehtë ta stereotipizonte. Por kjo lëvizje u kthye në një protestë anti-sistem dhe nuk identifikohej me një fytyrë të vetme. Pikërisht për këtë arsye u bë gjithnjë e më e vështirë për qeverinë ta godiste. Atëherë iu desh të zgjidhte një personazh mbi të cilin të ndërtonte gjithë narrativën e saj dhe, sipas meje, zgjodhi Dritan Goxhajn", u shpreh Lika.
Ai mohoi që leximi i kërkesave të protestës nga Dritan Goxhaj të ketë pasur ndonjë prapaskenë, duke theksuar se deklarata është lexuar edhe nga organizatorë të tjerë.
"Dritani është njëri prej protestuesve, po aq rastësisht sa jam edhe unë. Ajo deklaratë është lexuar nga Dritani, nga unë, nga Sidorela, nga Arbëri dhe nga të tjerë. Është një tekst që lexohet çdo ditë për t'u treguar qytetarëve pse jemi në shesh. Ishte krejt e qëllimshme nga ana e qeverisë që të mos merrej me kërkesat tona, por me personin që po i lexonte ato", deklaroi ai.
Sipas Likës, tashmë kryeministri po përpiqet të diskreditojë protestuesit duke kërkuar elemente nga e shkuara e tyre.
"Duket sikur kryeministri ka nisur të kërkojë një njollë në biografinë e çdo protestuesi. Për mua kjo është dëshpëruese. Ai nuk merret më as me idetë, as me kreativitetin, as me masivitetin e protestës, por me gjëra krejt të vogla nga jeta e njerëzve. Nuk po diskutoj nëse ato që thotë janë të vërteta apo jo. Problemi është se një kryeministër ka rënë në pikën që të merret me biografitë e qytetarëve dhe jo me kërkesat e tyre", tha koordinatori i protestës.
Lika e krahasoi këtë qasje me praktika të së kaluarës, duke thënë se, sipas tij, qeveria po kërkon të etiketojë qytetarët në vend që të përballet me protestën.
"Për mua kjo i ngjan një regjimi që kërkon njolla në biografinë e njerëzve. Kryeministri nuk flet më për ide, nuk flet më për vizion, nuk flet më për arsyet pse mijëra qytetarë janë në shesh. Madje një nga eurodeputetët që ishte në Tiranë tha një fjali që do ta mbaj mend gjithmonë: 'Populli shqiptar është gati për Bashkimin Europian, por qeveria shqiptare jo'", u shpreh Lika.
Lini një Përgjigje