TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Qershor 2026, 20:13

Protesta i kthehet normalitetit, qindra qytetarë para Kryeministrisë kundër kastës politike

Shkruar nga Pamfleti
Protesta i kthehet normalitetit, qindra qytetarë para Kryeministrisë
Pamje nga protesta

Pas marshimit te Kuvendi dhe ndalesës para selisë së PD-së, protesta e ditës së 19-të vijon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protesta i është kthyer sërish normalitetit. Pas aksioneve të sotme para Kuvendit dhe marshimit drejt selisë së Partisë Demokratike, qindra qytetarë janë rikthyer para Kryeministrisë, aty ku prej 19 ditësh zhvillohet tubimi i përditshëm kundër qeverisë.

Të mbledhur përballë godinës së qeverisë, protestuesit kanë vijuar me të njëjtat thirrje që kanë shoqëruar protestën gjatë ditëve të fundit. “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Dorëzoni mandatet” kanë qenë disa nga sloganet më të dëgjuara në tubimin e mbrëmjes.

Fillimisht ata bllokuan hyrjet e Kuvendit në kohën kur po zhvillohej seanca plenare, duke detyruar deputetët të largoheshin nga daljet alternative. Më pas marshuan drejt selisë së Partisë Demokratike, ku me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Opozitë e shitur” dërguan një mesazh të qartë se kundërshtimi i tyre nuk kufizohet vetëm te qeveria.

Pavarësisht itinerarit të zgjeruar të ditës së sotme, protesta ka përfunduar aty ku nisi edhe 19 ditë më parë, para Kryeministrisë. Organizatorët dhe pjesëmarrësit deklarojnë se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesa kryesore mbetet largimi i Edi Ramës.

Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike, me protestuesit që premtojnë se nuk do të tërhiqen nga rruga e protestës.

 

protesta kryeministria

Lini një Përgjigje