Pas betejave në Shkallën e Parë dhe Apelin e Posaçëm, ish-zv.kryeministri siguron një fitore në Gjykatën e Lartë, e cila prishi vendimet e mëparshme dhe riktheu çështjen për shqyrtim...
Arben Ahmetaj ka shënuar një fitore të rëndësishme në betejën e tij ligjore me SPAK. Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin për sekuestrimin e një pjese të pasurive të ish-zv.kryeministrit dhe ta kthejë çështjen për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Gent Shala, i cili ka rrëzuar vendimin e mëparshëm të Apelit të Posaçëm, duke i dhënë të drejtë pjesërisht kërkesës së Ahmetajt. Me këtë vendim, Gjykata e Lartë ka vlerësuar se çështja duhet të shqyrtohet sërish nga një trupë tjetër gjyqësore, duke rrëzuar në këtë fazë qëndrimin e mbajtur më parë nga SPAK, Shkalla e Parë dhe Apeli i Posaçëm.
Bëhet fjalë për sekuestrimin e disa pasurive të Ahmetajt, për të cilat SPAK kishte argumentuar se ekzistonte rreziku i tjetërsimit për shkak të hetimit pasuror ndaj ish-numrit dy të qeverisë. Megjithatë, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë ka hapur një kapitull të ri në këtë proces, duke e kthyer dosjen në Apel për një rivlerësim të plotë.
Kërkesa e Ahmetajt në Gjykatën e Lartë erdhi pasi Apeli i GJKKO-së kishte lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestrimin e pasurive. Tashmë, me ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë, dy vendimet e mëparshme janë prishur dhe çështja do të shqyrtohet nga një tjetër trupë gjyqësore.
SPAK ka sekuestruar në total gjashtë pasuri të lidhura me Ahmetajn, përfshirë katër apartamente dhe dy llogari bankare me vlerë rreth 124 mijë euro. Megjithatë, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për mbrojtjen e ish-zv.kryeministrit, pasi për herë të parë një shkallë më e lartë gjyqësore ka rrëzuar vendimet e marra më herët në këtë proces.
Rigjykimi në Apelin e Posaçëm pritet të përcaktojë tashmë fatin e sekuestrimit të pasurive, ndërsa beteja ligjore mes Ahmetajt dhe SPAK vijon paralelisht me hetimet që po zhvillohen ndaj tij në kuadër të dosjes së inceneratorëve.
Lini një Përgjigje