Momente tmerri absolut u përjetuan në një fluturim të Ryanair nga Selaniku drejt Memmingenit të Gjermanisë, kur një pasagjer për pak sa nuk u thith jashtë avionit pasi një dritare u shkëput gjatë fluturimit.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, një 61-vjeçar me shtetësi serbe përfundoi me kokën dhe shpatullat jashtë trupit të avionit, ndërsa bashkëshortja e tij dhe pasagjerë të tjerë e mbajtën fort derisa arritën ta tërhiqnin sërish brenda kabinës.
Panik pak minuta pas ngritjes
Fluturimi ishte nisur mëngjesin e së premtes nga Selaniku me destinacion Gjermaninë jugore. Sipas të dhënave të gjurmimit të avionit, rreth dhjetë minuta pas ngritjes, avioni Boeing humbi papritur rreth 9.000 këmbë lartësi, pasi në kabinë ndodhi një dekompresim i menjëhershëm.
Pasagjerët deklaruan për mediat lokale se dëgjuan një shpërthim të fortë, ndërsa menjëherë më pas ranë maskat e oksigjenit dhe në kabinë shpërtheu paniku.
"Menjëherë e kuptuam se kishte ndodhur dekompresimi. Dëgjoheshin britma dhe për një moment mendova se ishte hapur një nga dyert e emergjencës", rrëfeu një pasagjere.
"Koka dhe shpatullat e tij ishin jashtë avionit"
Sipas dëshmitarëve okularë, burri që ishte ulur pranë dritares u tërhoq me forcë drejt hapjes së krijuar, duke bërë që koka dhe shpatullat e tij të dilnin jashtë avionit.
"Fatmirësisht nuk e kishte zgjidhur rripin e sigurimit", tha një pasagjere, duke shtuar se bashkëshortja e tij i mbajti këmbët për rreth pesë minuta, derisa edhe pasagjerë të tjerë nxituan për ta tërhequr sërish në kabinë.
Një tjetër pasagjere tregoi se dekompresimi ishte aq i fortë sa pasagjerët kishin vështirësi në frymëmarrje, ndërsa i plagosuri gjakoste dhe humbi disa herë ndjenjat, me shumë gjasë për shkak të mungesës së oksigjenit dhe gjendjes së shokut.
Eksperti i aviacionit: Ishte një rast dekompresimi shpërthyes
Eksperti i aviacionit, Faidon Karaiosifidis, e cilëson incidentin me dritaren e thyer në fluturimin e Ryanair si një "rast dekompresimi shpërthyes", duke komentuar për Neësbomb ngjarjen që shkaktoi panik në kabinë, plagosjen e një pasagjeri dhe uljen emergjente të avionit.
Çfarë është dekompresimi shpërthyes?
"Bëhet fjalë për një dekompresim shpërthyes. Kjo ndodh kur barazohet presioni i brendshëm me atë të jashtëm dhe dritarja vepron si një vakum që thith gjithçka drejt saj", shpjegoi Karaiosifidis, duke përshkruar se çfarë ndodhi në kabinën e avionit.
Ai kujtoi se në vitin 2018 ndodhi një incident i ngjashëm, kur një grua që ishte ulur pranë dritares u tërhoq pjesërisht jashtë avionit dhe humbi jetën (fluturimi Southëest Airlines 1380 në SHBA). Edhe ai aksident, sipas tij, ishte shkaktuar nga një defekt material.
A ishte dritarja me defekt?
Edhe pse, siç thekson ai, ende nuk ka informacion të mjaftueshëm, eksperti nuk përjashton mundësinë që dritarja të ketë qenë me defekt.
"Ka raste kur një dritare mund të jetë e dëmtuar. Mund të jetë thyer vetë për shkak të një defekti materiali. Është diçka jashtëzakonisht e rrallë, por jo e pamundur", tha ai.
A kishte problem motori?
Lidhur me raportimet e para se një pjesë e motorit mund të ketë shkaktuar thyerjen e dritares, Karaiosifidis u shpreh i rezervuar.
"Defekti në motor nuk është konfirmuar. Që të shkëputet një pjesë e motorit, duhet të ketë ndodhur një dështim serioz i tij. Nëse do të ishte kështu, mund të flisnim për pasoja shumë më të rënda dhe dëmtime të avionit, jo thjesht për një copëz që është shkëputur."
Sipas tij, nëse do të ishin shkëputur pjesë nga motori, kjo do të ishte e dukshme edhe vizualisht. "Gjithçka do të sqarohet nga hetimi", shtoi ai, duke nënvizuar se përgjigjet përfundimtare do të jepen vetëm pasi të përfundojë ekspertiza teknike nga autoritetet kompetente.
Hetimi do të shqyrtojë historikun e mirëmbajtjes
Karaiosifidis shpjegoi se hetuesit do të kontrollojnë të gjithë historikun teknik të avionit, për të parë nëse dritarja në fjalë ishte zëvendësuar ndonjëherë ose kishte pasur ndërhyrje të mëparshme.
"Raste të tilla, ku një dritare thyhet vetvetiu për shkak të një defekti materiali, janë jashtëzakonisht të rralla. Megjithatë, kur ndodhin, mund të shkaktojnë një dekompresim shpërthyes si ai që pamë në këtë incident", tha ai.
Sipas informacioneve të Neësbomb, organizata kombëtare greke për hetimin e aksidenteve ajrore (EODASAAM) pritet të bëjë njoftime zyrtare të hënën, pasi të jenë analizuar të gjitha provat dhe të dhënat e incidentit.
Lini një Përgjigje