
Kryeqyteti ka hyrë në ditën e 16-të të protestave masive, ndërsa qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
Lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe sociale në vend, analisti Fatos Lubonja ka komentuar situatën aktuale në vend.
Sipas Lubonjës, interpretimi i protestës si një reagim i kufizuar vetëm te çështja e Zvërnecit është i gabuar dhe nuk pasqyron thelbin e pakënaqësisë qytetare.
“Nëse do bëja një krahasim, do ishte ky. Dikush thotë se ishte Zvërneci shkaku i protestës, por janë 35 vjet që janë akumuluar, një ujë zemërimi, që akumulohet vazhdimisht dhe bën një masë të madhe ujore. Imagjinoni një rezervuar të madh me zemërim dhe më pas është një moment ku diga e pushtetit pëson një çarje dhe shpërthen. Kjo ndodh. Kush e lexon këtë siç kërkon të na thotë kryeministri se është vetëm një gjë për ambientalistët, gabohet”, u shpreh ai për "News 24".
Analisti argumentoi se protestat aktuale janë produkt i një pakënaqësie të thellë i ndërtuar ndër dekada, duke nisur nga tranzicioni i pas viteve ’90 dhe duke vijuar me zhvillimet politike e ekonomike të mëvonshme.
“Thelbi i protestës është se kemi pasur klasë politike që e filloi Shqipërinë pas-komuniste me piramida mashtruese që grabitën njerëzit. Ky sistemi i shqiptarit që grabit shqiptarin. Më pas filluan këto piramida të tjera me oligarkë që shkatërruan Tiranën, mbaruan edhe ato hapësirat publike të njerëzve. Politika mendonte se i mjaftonin të fuqishmit dhe të tjerët i sundon. Në kohën e Edi Ramës, në 20 vitet e fundit u futën edhe paratë e krimit të organizuar”, deklaroi Lubonja.
Sipas tij, protestat nuk mund të reduktohen në një kauzë të vetme, por duhen parë si shprehje e një pakënaqësie më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe zhvillimeve politike të viteve të fundit.
Lini një Përgjigje