Apeli i GJKKO-së vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj Ilir Metës, Presidentit të PL-së, i arrestuar në tetor 2024 me urdhër të SPAK-ut. Në këtë mënyrë Apeli i GJKKO-së rrëzoi një nga kërkesat e ish-Presidentit të Republikës që kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë. Meta ka bërë disa kërkesa në GJKKO për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, që janë rrëzuar nga gjykata, ndërkohë që për një tjetër kërkesë pritet vendimi nga gjyqtarja Saida Dollani.
Kërkesa e shqyrtuar sot në Apelin e GJKKO-së kishte lidhje me një vendim nga Gjykata e Lartë, që kërkonte rishqyrtimin e kërkesës.
Kërkesat e Metës janë shqyrtuar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 8 prill rrëzoi me shumicë votash ankimin e Ilir Metës, i cili kërkonte shpalljen antikushtetuese të masës “arrest me burg” dhe kundërshtonte mënyrën e ekzekutimit të saj.
Gjyqtaret Marjana Semini dhe Marsida Xhaferllari kanë votuar për pranimin e kërkesës së Metës, për prishjen e vendimit për masën e sigurisë. Ndërsa 5 gjyqtarë të tjerë kanë votuar kundër kërkesës së ish-Presidentit. Gjytarja Sonila Bejtja ka dalë me mendim të vetin, pro kërkesës së Metës.
Kushtetuesja ka konstatuar se ankimi i Metës është paraqitur në mënyrë të rregullt dhe evidenton se ekziston një pretendim serioz për përdorim të tepruar të forcës gjatë arrestimit, për të cilin ka pasur edhe vërejtje kritike nga Avokati i Popullit.
Por, sipas Gjykatës Kushtetuese, ka fakte dhe informacione të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se ish-presidenti mund të ketë kryer veprat penale, për të cilat akuzohet dhe po mbahet në qeli që prej 21 tetorit 2024.
Lini një Përgjigje