TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Qershor 2026, 21:27

Protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, shoferët fikin makinat dhe duartrokasin

Shkruar nga Pamfleti

Protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, shoferët

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, mijëra protestues u shpërndanë nga sheshi dhe nisën një marshim në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar protestën kundër projektit në Zvërnec dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë.

Tubimi, që po zhvillohet për të tetën ditë radhazi, është shoqëruar me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kritika ndaj politikave qeveritare. Protestuesit kanë ngritur shqetësime për emigrimin, pronat, investimet strategjike, drejtësinë, arsimin dhe shëndetësinë.

Marshimit iu bashkuan motoristë dhe shoferë automjetesh, të cilët lëvizën së bashku me protestuesit nëpër rrugët e kryeqytetit. Ata shprehën mbështetjen e tyre për lëvizjen qytetare duke i rënë borive.

Sipas organizatorëve, kolona e protestuesve u shtri nga kryqëzimi i “9-Katshëve” deri në zonën e ish-Hotel Dajtit, duke përfshirë një segment të gjerë të bulevardit dhe rrugëve përreth.

Me thirrjet “Dorëheqje”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria nuk shitet”, pjesëmarrësit vijuan marshimin, ndërsa organizatorët deklaruan se protesta tashmë ka marrë përmasa mbarëkombëtare.

Një nga momentet më simbolike të tubimit ishte vendosja e një gomoneje para Kryeministrisë, e cila sipas protestuesve simbolizon emigrimin masiv të shqiptarëve dhe largimin e të rinjve nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Gjatë protestës folën edhe emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme, të cilët u bënë thirrje shqiptarëve të mos largohen nga vendi dhe diasporës të angazhohet më shumë në zhvillimet në Shqipëri.

Protestuesit kërkuan gjithashtu hetim nga SPAK për projektin në Zvërnec dhe më shumë transparencë mbi procedurat që lidhen me investimin.

Mes kërkesave të paraqitura gjatë tubimit ishin dorëheqja e qeverisë, heqja e statusit të investitorit strategjik, anulimi i “Paketës së Maleve”, si dhe shfuqizimi i ndryshimeve ligjore që prekin zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Nga podiumi u bë edhe thirrje për një mobilizim më të madh qytetar më 10 qershor, me synimin për zgjerimin e lëvizjes në nivel kombëtar.

Ndërsa mbrëmja avancon, protesta vijon në rrugët e Tiranës, me organizatorët që kanë paralajmëruar vazhdimin e aksioneve dhe tubimeve edhe në ditët në vijim.

Lini një Përgjigje